Bekim Balaj është vertetë “bekimi” i Vllaznisë. Një dygolësh i tij spektakolar, më shumë për shkak të aftësive dhe forcës personale, i dhanë shkodranëve fitoren e “klasikes” së Supërligës shqiptare të futbollit.
Miqtë e Tiranës shënojnë të parët me një supergol nga Haxhia në minutën e 13- të. Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, sfera shkon te Haxhiu i cili nga e majta shënon një supergol duke çuar topin në shtyllën e dytë.
Kështu mbyllet pjesa e parë. Në të dytën Vllaznia është shumë më e karikuar në fushë, teksa Bekimi i saj, vendos të bëjë diferencën. Goli i parë vjen në minutën e 51- të. Pas zhvillimit të një goditje dënimi, Balaj i shmanget mbulimit të mbrojtjes dhe lëshon gjuajtjen e pakapshme për Selmanin duke barazuar shifrat.
Por sigurisht, golashënuesi i Superligës, kishte vendosur të marrë ekipin e tij për dore në këtë ndeshje. Është minuta e 84- ët, Balaj me një veprim spektakolar kalon Dembele dhe lëshon një predhë në rrjetën e Selmanit.
Me këtë rezultat mbyllet e gjithë ndeshja dhe Vllaznia ngjitet në krye, me pikë të barabarta me Dinamon. Balaj golashënuesi më i mirë i Supërligës.