
Kreu i PD, Lulzim Basha ka folur pas mbledhjes së grupit të PD për sekuestrimin e rreth 613 kg kokainë në Durrës. Basha tha se kokaina e sekuestruar ka marrë garanci politike dhe janë krijuar kushtet për transportin e saj.
“Prej 6 muajsh kam paralajmëruar dhe ja ku u vërtetua që Shqipëria po kalon nga kanabisi tek kokaina dhe heroina. Krimi, politika dhe biznesi janë bërë një. Kjo vërtetohet jo vetëm nga biznesmeni që bënte tregtinë, por një sasi e tillë kokainë nuk mund të kalonte në Shqipëri pa garanci politike të nivelit të lartë dhe pa mbështetjen e politikës. Paratë e përfituara nga droga janë një kërcënim për stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit. Vlera e kësaj droge është rreth 180 milionë euro.
Kush do i pastrojë këto para? Bashkia e Tiranës është lavatricja e parave të pista ku po pastrohen paratë dhe ka dyfishuar sipërfaqet e ndërtimit pas shtimit të sasisë së drogës. Shqipëria është baza e trafikut të drogës”- tha Basha.







