
“Primaret për Malësinë e Madhe janë shtyrë për disa probleme. Ka patur kandidatë, por procesi është shtyrë. Do të votohet më vonë”, ka deklaruar sot kryetari i PD- së Sali Berisha, i pyetur nga gazetarët për mosvotimin për kandidatin demokrat për bashkinë Malësi e Madhe.
Berisha ka folur edhe për 4 bashkitë e tjera ku sot nuk votohet, duke konfirmuar se ato janë lënë për aleatët. Kryedemokrati ka vlerësuar me nota shumë pozitive këtë proces, duke siguruar se as ai dhe as kryesia nuk kanë ndërhyrë në emrat e kandidatëve të primareve.
Në bashkitë ku në primare ka vetëm një kandidat, Berisha ka thënë se ato janë referendume. Do të jenë vetë antarët dhe simpatizantët që do të firmosin kandidatin, në 6 bashkitë ku ka vetëm një emër për votim.
Deklarata e sotme e Berishës i mbyll hamendësimet se Malësia e Madhe do të lihet në dorën e ndonjë aleati për kandidim apo edhe të grupimit Alibeaj në PD. Përballë Tonin Marinajt të PS- së, do të ketë një kandidat, por gara për zgjedhjen e tij, do të bëhet më vonë, ka shtuar ai.
Përveç primareve që nuk po zhvillohen sot, në Malësi të Madhe nuk ka përfunduar as ristrukturimi i PD- së sipas udhëzimeve të procesit të Rithemelimit. Që të ketë garë reale për bashkinë Malësi e Madhe mes PS- së dhe PD- së, shpresojmë që edhe procesi i primareve të mos ketë fatin e ristrukturimit të kësaj dege të PD- së. /ShkodraWeb/