
“The long way” është emri i aksionit policor që ka vënë në pranga dy persona, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim. Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Shtetit, e cila ka shpërndarë edhe një video. Sipas informacioneve zyrtare të uniformave blu, tre personat u kapën nga policia e Lezhës, pas një pune të mirëorganizuar me metoda proaktive. Bashkë me dy personat, pas kontrollit të ushtruar, iu gjetën 3 mina me telekomnadë por edhe 2.3 kile kanabis. Më poshtë, informacioni i plotë i policisë së shtetit.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e veprimtarive të kundraligjshme, duke vendosur përpara përgjegjësisë ligjore autorët e dyshuar, nga Sektori për hetimin e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, falë një pune profesionale të mirëorganizuar, të ndjekur me metoda proaktive, u finalizua me sukses operacioni i koduar “The long way”, duke goditur një tjetër rast të tentativës për trafikim të minave me telekomandë.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– A.L. 23 vjeç, banues në Vlorë.
– A. E. 21 vjeçe, banuese në Vlorë.
Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit E.E., 27 vjeç, banues në Vlorë (i dënuar më parë).
Shtetasit e mësipërm u arrestuan në flagrancë në qytetin e Lezhës, pasi nga kontrolli në çantat e tyre u gjetën të fshehura 3 mina me shpërthim të telekomanduar nëpërmjet celularit, si dhe një sasi prej 2.3 kg lënde narkotike e dyshuar marijuanë.
Materialet procedurale në ngarkim të tyre u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve plasëse” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” parashikuar nga nenet 282/a/2 dhe 283/2 të Kodit Penal.