
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër dhe komisariatet në varësi, vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve:
Në njësinë administrative Shosh, në fshatin Ndrejaj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër konstatuan 768 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Gjatë ndërhyrjes, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi P. M., 53 vjeç, banues në fshatin Ndrejaj.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan 80 kubikë të dyshuar cannabis sativa.
Ndërsa, në njësinë administrative Kelmend, në fshatin Vukël, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe konstatuan 1250 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi u konstatua në afërsi të parcelës me bimët narkotike.
Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. B., 65 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Vukël.




