
Nëna 32- vjeçare dhe një nga fëmijët e saj të mitur- djali, të përfshirë në aksidentin fatal të së premtes në aksin rrugor Shkodër- Lezhë, janë jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë lënë mjediset e Spitalit Rajonal të Shkodrës mbrëmjen e së premtes. Ndërkohë, fëmija tjetër i mitur- vajzë, i përfshirë në aksident, është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.
Në aksidentin fatal, në vendin e quajtur Kryebushat, humbi jetën kryefamiljari Gjin Bzhangaj, 37 vjeç. Ai ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku u dërgua pas aksidentit.
Sipas policisë, dyshohet se një shtetas 42- vjeçar ka humbur kontrollin e një kamioni që po drejtonte. Fillimisht, është përplasur me një automjet të drejtuar nga një 63 vjeçar. Përplasja me mjetin e tretë, të drejtuar nga viktima, i cili udhëtonte me familjen e tij, ka rezultuar fatale.
37- vjeçari Gjin Bzhangaj, mori dëmtime të shumta dhe, megjithëse u dërgua në spital, nuk mundi ti rezistojë plagëve. Në spital përfunduan edhe tre pjestarët e tjerë të familjes, nëna 32- vjeçare dhe dy fëmijët e mitur, në makinë në momentin e aksidentit. Policia raportoi se janë jashtë rrezikut për jetën teksa këtë të shtunë, mësohet se një nga fëmijët e mitur, vajza është dërguar në Spitalin e Traumës.
Ndërkohë, menjëherë pas aksidentit, policia në vendngjarje, ka nisur punën për rindërtimin e rrethanave të aksidentit, për të përcaktuar edhe përgjegjësinë për secilin të përfshirë në ngjarje. Ndërkohë, më e dëmtuara, është familja Bzhangaj nga zona e bashkisë së Vau Dejësit. /ShkodraWeb/