
Një aksident rrugor ka ndodhur rreth mesdites në aksin Lezhë-Shkodër, në afërsi të fshatit Balldren. Në përplasjen e ndodhur, janë përfshirë tre automjete: një autobus i punonjësve italianë të kampit të emigrantëve të Gjadrit, një kamionçinë dhe një autoveturë.
Sipas raportimeve paraprake, nga aksidenti kanë mbetur të lënduar dy persona, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton shkaqet e aksidentit. Për shkak të përplasjes, trafiku në këtë segment u bllokua për rreth një orë, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh.
Sipas të dhënave, kamionçina po lëvizte në drejtim të Balldrenit kur është ndeshur ballë për ballë me autoveturën që po tentonte të parakalonte autobusin me punonjësit e kampit të Gjadrit në një segment ku sinjalistika nuk e lejon diçka të tillë. Si pasojë e përplasjes së fortë, kamionçina është rrotulluar në drejtim të kundërt me lëvizjen duke prekur edhe autobuzin që lëvizte në drejtim të Lezhës.