Fati i Afganistanit tani është në duart e talebanëve, të cilët morën nën kontroll edhe Pallatin Presidencial pasi presidenti Ashraf Ghani është larguar nga vendi dhe është nisur drejt Taxhikistanit.
Madje raportohet se ai tashmë ka dhënë dorëheqje, kurse talibanët pritet që në këtë post ta emërojnë liderin e tyre.
Gjithçka ndodhi pasi talibanët morën nën kontroll Kabulin. Ndërkohë diplomatët dhe punonjësit e ambasadave perëndimore janë evakuuar me helikopterë dhe mjetet të blinduara.
Disa pamje amatore të publikuara në rrjetet sociale tregojnë presidentin afgan duke u larguar nga Kabuli, megjithatë këto pamje duhen konfirmuar nëse kanë të bëjnë pikërisht me ngjarjen e sotme, apo ishin realizuar më herët.
Ghani shfaqet duke u përshëndetur me pjesëtarët e sigurimit si dhe bashkëpunëtorët që e prisnin pranë avionit.