
Kryeministri Edi Rama: Nuk mund t’i nisja asesi këto shënime pa një urim paraprakisht për një ditë shumë të veçantë, 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe ditën e shënuar të nënave, motrave, vajzave tona.
Është gjithmonë një ditë e rëndësishme edhe për të shprehur mirënjohjen dhe respektin me të gjithë dashurinë e merituar për gratë dhe vajzat, që kemi rreth nesh, por edhe për rolin e jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm të tyre, jo vetëm në familje, por edhe në shoqëri dhe në jetën e vendit, përfshirë dhe jetën politike dhe vendimmarrjen.
Jam shumë krenar të them se sot kemi gjithnjë e më shumë gra që udhëheqin, që drejtojnë, ndërtojnë, krijojnë dhe që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit tonë.
Ato janë në parlament, ato janë qeveri, ato janë në të gjithë zinxhirin e institucioneve, ato janë në sipërmarrje, ato janë në shkolla, në universitete, ato janë në teatro, në hapësirat e jetës artistike, ato janë në sport, ato janë kudo. Kudo një vlerë e shtuar, kudo një forcë e pazëvendësueshme.
Dhe nuk mjafton të shohësh realitetin e sotëm të vendit për të kuptuar se energjia dhe roli i grave në jetën publike dhe shoqërore, që ka qenë një rol i adresuar, i mbështetur, i promovuar në mënyrë të posaçme në këtë dekadë të qeverisjes sonë, ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm.
Ndaj, nuk më mbetet veçse të uroj nga zemra, jo vetëm Gëzuar 8 Marsin për të gjitha gratë, për të gjitha nënat, motrat, gjyshet, vajzat shqiptare, jo vetëm t’i falenderoj për gjithçka bëjnë, por edhe të uroj me gjithë zemër që pjesëmarrja e tyre të rritet, angazhimi i tyre të rritet dhe çfarë ato i sjellin Shqipërisë, të jetë dhe më shumë, falë rritjes së pjesëmarrjes dhe angazhimit të tyre.




