
Një jetë e tërë me sportin për veteranin e njohur të sportit Pal Marku, fillimisht 20 vite pjesëtar i brezit të artë të Vllaznisë në mundjen klasike përkrah emrave të njohur, si Eljaz Guri, Mirash Vuksani, Nikoll Grima, Dushan Vaso, Gegë Gjoni, Paulin Stërkaj, Seit Fishta, Ali Murrizi, Agim Sula, Ali Anza, Nezmi Pepa, etj, më pas trajner i kombëtares së moshave dhe në vijim në mbi 40 vite arbitër kombëtar dhe ndërkombëtar, mblodhi në një takim festiv të 75 vjetorit të tij, komunitetin e sportit të mundjes dhe më gjërë.
Me këtë rast, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, përmes zëvendëskryetarit Rudi Beka, i ka akorduar veteranit Pal Marku, çertifikatën “Mirënjohje”.
Shoqata Kombëtare e Mundjes, ka nderuar veteranin Pal Marku me Medaljen e Meritës Sportive “Nderi i Mundjes Shqiptare”, të cilën ia dorëzoi sekretari i përgjithshëm, Xhelil Cibaku. Një ditëlindje mes kolegëve dhe miqve të tij, ia kanë zbukuruar Pal Markut, 75 vjetorin e lindjes.
Për t’u theksuar është, se edhe pse në moshëm 75 vjeçare, Pal Marku, vazhdon të jetë aktiv si arbitër duke gjykuar me kompetencë në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të mundjes.
Kush është Pal Marku
Pjesëtar i ekipit Vllaznia në mundjen klasike për një periudhë 20 vjeçare, ku nën drejtimin e trajnerëve, Sul Rama, Qazim Elbasani, Naim Pepa, Bajram Agovi ka konkuruar me sukses në peshat e mesme, 68, 74 dhe 82 kg, përkrah një brezi të talentuar të mundjes shkodrane: Eljaz Guri, Mirash Vuksani, Nikoll Grima, Dushan Vaso,Gegë Gjoni, Paulin Stërkaj, Seit Fishta, Ali Murrizi, Agim Sula, Ali Anza, Nezmi Pepa, Fasli Zylja, Mhill Colaj, Faris Cibaku Sandër Leka, Bes Rama, Luigj Mrina, Dilaver Cufi, Mond Çupi, Bajram Pëllumbi, etj.
Edhe pse ka pasur përballë mundës të nivelit ta lartë, si Ndriçim Spahiu, Koçi Koçebelli, Rexhep Leka, Paqsor Rugia, Niko Zguro, etj, është renditur përherë në vende nderi duke kontribuar në rezultatt pozitive të ekipit.
Pas largimit nga tapeti si mundës, karriera e tij sportive vazhdoi të jetë e pandashme me sportin e mundjes, ku falë aftësive dhe njohurive për mundjen, por edhe komunikimit të mirfilltë me sportistët, Federata Shqiptare e Mundjes i besoi kombëtaren e moshave duke u përfaqësuar me dinjitet në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, karriera më e gjatë në sportin e mundjes i përket fushës së arbitrimit, detyrë të cilin si gjyqtar i kategorisë së parë por edhe ndërkombëtar e ushtron prej 40 vitesh. Ku, edhe sot në moshën 75 vjeçare, ai spikat si arbitër aktiv pranë kolegjumit qëndror, duke qënë i vetmi, jo vetem nga Shkodra, por në tërë kolegjumet e arbitrave të veriut shqiptar.
Për të gjitha këto, krahas diplomave indivuale si dhe ato ekipore, Federata Shqiptare e Mundje, Klubi sportiv Vllaznia, Shoqata e veteranëve të mundjes e ka nderuar me tituj nderi.




