
Mjeshtri i Madh Gëzim Kruja, është përcjellë si sot 5 vjet më parë në banesën e fundit. Një nga emrat më të spikatur të humorit shkodran e shqiptar, humbi betejën me sëmundjen që e mundonte prej disa kohësh. Në fillim të muajit dhjetor 2019, edhe pse në gjnedje jo shumë të mirë shendetësore, familja, miqtë e kolegët i organizuan festën e 80- vjetorit të lindjes. Ndërsa ditën 5 prill 2020, zemra e Gëzim Krujës, Mjeshtër i Madh, pushoi së rrahuri.
Për shkak të kushteve që po kalonte vendi për shkak të pandemisë, nuk ishte e mundur që nderimet e fundit ti bëheshin si duhet Gëzim Krujës. Megjithatë, nuk kanë qenë të paktë ata që e kanë përcjellur, duke nisur nga shtëpia e tij deri në varreza. Mediat e Shkodrës, atë ditë, kanë bërë transmetim live të momenteve të përcjelljes së Mjeshtrit të Madh. Në këtë 5 vjetor të largimit nga jeta, Gëzim Kruja do të meritonte një kujtesë, një aktivitet, nga teatri “Migjeni” apo ndonjë institucion tjetër. Por në fushatë elektorale dhe me një teatër me drejtor të dalë në pension, vështirë të kujtohet kush për të nderuar Gëzim Krujën.
Pushofsh në paqe Mjeshtër i Madh, kaluan 5 vjet pa ty, do na mungosh fizikisht sepse do të kemi përjetësisht mes nesh përmes mijëra minutave humor që na dhurove e fatmirësisht, na i le pas. /ShkodraWeb Media/