Sot është 5 Maj, por veteranët e LANÇ e kanë akoma mendjen tek 29 Nëntor 1944, zyrtarisht Dita e Çlirimit të vendit nga pushtuesit në Luftën e Dytë Botërore. Në një takim të organizuar në Shkodër për Ditën e Dëshmorëve, drejtues të shoqatës së veteranëve e familjeve të LANÇ, kanë patur një mesazh për kryetaren e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi. Dhurata Tyli i ka kujtuar Ademit se “i ka ditët e numëruara”, sipas gjasave duke e lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit. Tyli ka perifrazuar sërish Ademin me deklaratën e saj se “29 nëntori është një ditë e zezë për Shqipërinë”. Më shumë se një herë, kryebashkiakja e Shkodrës e ka pohuar këtë, duke marrë një mbështetje të gjërë publike nga e djathta politike në Shkodër dhe më gjërë. Deklarimi i sotëm në ditën e 5 Majit nga organizatat e veteranëve të LANÇ, tregon se ata nuk e kanë “kapërdirë” akoma deklaratën e fortë të kryebashkiakes Ademi.