ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

VETTING/ “Mbetet në klasë” edhe kryegjyqtari, nuk kaloi në asnjë nga kriteret e vlerësimit nga KPK…

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra gjyqtarin Alltun Çela – i cili nga viti 2008 drejton Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë. Vendimi erdhi pasi ai ngeli ne testin e Vetingut, duke ka dalë me një vlerësim negativ për të tre kriteret e vetingut – pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i udhëhequr nga Pamela Qirko si kryesuese, Genta Tafa relatore dhe Xhensila Pine anëtare, mbajti të premten në mëngjes seancën e parë dëgjimore për vitin 2019, ku i ftuar ishte gjyqtari Alltun Çela.

Çela është shortuar si subjekt i procesit të rivlerësimit në 15 janar 2018, për shkak të funksionit të tij në krye të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë.

Si pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar, Komisioni ka administruar raportet për subjektin nga tre institucionet ndihmëse, përfshirë Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktin të Interesit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

ILDKPKI ka sjellë një raport pozitiv mbi pasurinë e gjyqtarit Çela, por ky konstatim është përmbysur nga hetimi i thelluar i KPK-së, i cili ka konstatuar probleme të shumta me deklarimet e tij periodike dhe atë veting. DSIK ka dorëzuar një raport negativ për gjyqtarin Çela, duke nënvizuar se ky i fundit nuk është ‘i përshtatshëm’ për tu konfirmuar në detyrë, ndërsa vlerësimi i KLD-së për profesionalizmin e subjektit është ‘nën mesatar’.

Ndaj gjyqtarit Çela në KPK janë regjistruar një numër denoncimesh nga shtetas të ndryshëm, pjesë e të cilave janë vlerësuar të besueshme nga trupa gjykuese e KPK-së dhe për të cilat subjektit i është kaluar barra e provës.

Gjatë fjalës së tij në seancë dëgjimore, Çela ka tentuar të shpjegojë disa nga paqartësitë në lidhje me pasurinë e tij dhe ka kundërshtuar raportin e DSIK-së mbi pastërtinë e figurës, duke nënvizuar se ai nuk përmban prova.

Megjithë kundërshtitë e shprehura në seancë, gjyqtari Çela është shprehur se i pranon gjetjet e hetimit të KPK-së. Edhe pse këto gjetje kanë qenë gjerësisht negative në të tre shtyllat e rivlerësimit, ai ka kërkuar konfirmimin në detyrë si gjyqtar.

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.