
Vëllai i ministrit të brendshëm të Shqipërisë ka bërë një veprim unikal, të cilin sigurisht mudn ta kishte shmangur nëse Fatmir Xhafa nuk do të ishte pjesë e ekzekutivit. Agroni (Geroni) ka njoftuar se do të vetëdorëzohet në Itali për të vuajtur dënimin prej 7 vite e dy muaj të marrë në formë përfundimtare nga Gjykata e Kasacionit atje.
Në fakt, me këtë veprim Agroni (Geroni) ka shënuar edhe fillimin e fundit në ekzekutiv, ndoshta edhe në politikë të vëllait të tij Fatmir Xhafa. Ky i fundit ka heshtur nga dita e parë e akuzave më të fundit të opozitës, por avokatinë e tij e kanë bërë koleget deputetë të PS dhe sot, edhe kryeministri Edi Rama. Të gjithë këta bashkë, janë përpjekur të minimizojnë rolin e ministrit të brendshëm në gjithë këtë mesele. Heshtja e autoriteteve italiane, mungesa e një kërkese për ekstradim nga Italia për Agronin (Geronin), mjegulla e deritanishme nëse vëllai i ministrit kishte vuajtur dënimin apo jo në Itali, mbase krijuan në opinionin publik të paktën, idenë se Fatmir Xhafës “po i bihet në qafë”.
Por sot erdhi ajo që mund të quhet bomba e vertetë: Agron (Geron) Xhafa e pranoi se është fajtor për trafik droge, madje është edhe për burg në Itali. Automatikisht, edhe vëllai- Fatmiri, nuk është komod në postin e ministrit të brendshëm siç ishte deri mbrëmë. Për një arsye të thjesht: Sepse sa herë të flasë për luftën kundër krimit, sidomos kundër drogës, panelit apo edhe atyre që do të ketë përballë, do tu dalë përpara Agroni (Geroni) i dënuar dhe i vetëdorëzuar si fajtor për të vuajtur dënimin për trafik droge. Nga ana tjetër, një ministër i brendshëm me një vëlla të dënuar me 7 vite e dy muaj burg për trafik droge, nuk është shumë i përshtatshëm për imazhin e qeverisë, e çdo qeverie. Kjo në sensin moral të gjësë.
Në pjesën ligjore, është “muhabet” profesionistësh të jurisprudencës. Ligji antimafia detyron verifikimin e pasurisë së Agron (Geron) Xhafës. Teorikisht, duhet edhe verifikimin i pasurisë të të afërmeve dhe më të afërm se vëllain… A do të rezultojë “pasuri e tepërt” që mund të jetë krijuar nga aktivitetet e paligjshme të Agron (Geronit), kjo vështirë të verifikohet. Kjo, pasi nga koha e vendimit të formës së prerë në Itali- 2012, deri më sot kanë kaluar 6 vite, ku për 5 vite në pushtet ka qnë pikërisht vëllai i Agronit (Geronit). Por në sytë e qytetarëve e sidomos ndërkombëtarëve, Fatmi Xhafa nuk mund të jetë ai që ishte deri mbrëmë.
A mban përgjegjësi vëllai për vëllanë, qoftë ai edhe kriminel i kalibrit të Al Kapone? Natyrisht që jo, për sa kohë nuk do të ketë pushtet publik në dorë. Për ta kanalizuar edhe më shumë, mund të ketë pushtet ekzekutiv, por jo të paktën tek ministria e brendshme. Kjo është në thelb ajo që edhe opozita, qoftë edhe për shkak të luftës politike, ka kërkuar. Dorëheqje e Xhafës si ministër i brendshëm- ndoshta edhe duke marrë një diskaster tjetër si dhe, dorëzim i Agron (Geron) në duart e autoriteteve italiane për të vuajtur dënimin. Opozita nuk ka arritur një sukses të vogël, deri tek dorëheqja… Jam i bindur se është çështje kohe, ndoshta ditësh e maksimumi javësh. Fatmir Xhafa është “racë” politikani që vlerëson moralin maksimalisht. Ai e ka dhënë atë tashmë, por po i përshtatet edhe interesave politike të kryeministrit dhe mazhorancës… /Nga Blerti Delija për ©ShkodraWeb/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!