Veprës së tij të një vlere dhe krenarie kombëtare, ia ka dhënë titullin populli i gjërë…

Me datën 9 gusht 1935, në Voskopojë, në një familje intelektuale,që trashëgonte më shumë libra se gjithçka tjetër, do të lindte Skender Drini, një ndër korifenjtë e padiskutueshëm të letrave moderne shqipe, një shkrimtar prodhimtar e potent, autori i pabujë i dhjetra romaneve të çmuara e tregimeve të mrekullueshme me vlera kombëtare e ndërkombëtare, eruditi i shquar, poligloti i talentuar, diplomati shembullor, gazetari opinionist i mprehtë e i thellë, miku i mirë, bashkëshorti i pashoq e altruist…


Ky kolos i letrave shqipe i dhuroi lexuesit 32 libra cilësorë, nga të cilat 18 romane, shumica e tyre e një kalibri të lartë, 9 vëllime me tregime, biografi të letrarizuar, aforizma, dhjetra artikuj gazetash e opinionesh.

Veprat e shumta, larmia e gjinive letrare , shtrirja në kohë, qysh nga libri i tij i parë “ Tregimet e së shtunës” 1961 e deri tek Testamenti, (2014), gjeografia e shtrirjes së veprave, koha,shumëllojshmëria e karaktereve, stili lakonik, gjuha e përzgjedhur e plot mendim, pa dyshim flasin për talentin e tij të padiskutueshëm e imponues. Nuk marr përsipër të bëj analizat e veprave të tij të shumta, por veçanërisht dy nga romanet e tij, të shkruara në epoka të ndryshme , shfaqin vlera të larta artistike, estetike, gjuhësore, stilistikore, tregojnë një mjeshtri të vërtetë të fjalës së shkruar. Është fjala për romanet “Shembja e idhujve” dhe “Korbi”, që për mendimin tim, mund dhe duhet të radhiten në dhjetëshen më të mira të veprave monumentale shqiptare të pas luftës së dytë botërore.

Skenderi Drini nuk lodhej kurrë së shkruari, ai kishte lindur për të shkruar e për të na lënë vepra me cilësi të lartë, ai ishte i uritur e nuk ngopej së shkruari…Mendja e tij ishte programuar të shkruante dhe veprat i rridhnin varg vetvetiu….Idetë, temat, karakteret prisnin në rradhë njëri – tjetrin të mishëroheshin përjetësisht në veprat e tij.
Madhështinë e tij ai e sfumonte me heshtje, nuk bëzante as ankohej, edhe kur ndjente dhembje nga thika e mosmirënjohjes, apo plaga e harresës së atyre, që e kanë për detyrë të mos harrojnë… Ai jetonte thjeshtë, i kredhur në hallet tij.

Ishte i dhemshur e i gjindshëm, i gatshëm për të zgjidhur punë të të tjerëve, kur asnjëherë nuk i zgjidhi si duhet punët e tij… Fliste me zërin e tij të trashë, çuditërisht asnjëherë të zemruar madje edhe atëherë, kur duhej të ulërinte…

Mbështet Shkodraweb Media në misionin e vet! FALEMINDERIT!

Në përgjithësi Skenderi ishte tip i heshtur. Megjithatë ai shpërthente e s’pushonte aty në rrethin e tij ngushtë, ku në përgjithësi, në qoftëse nuk do të ishin debate serioze të jetës dhe politikës shqiptare, me siguri, do të futej në lojë humori i tij i këndshëm, herë – herë i ashpër në dukje, për ndonjë që nuk e njihte mirë, por kurrësesi denigrues…

Të njohur kishte shumë, që e donin dhe e respektonin, por miqtë e vërtetë i numronte me gishta. Me ta ndonjëhere edhe shfrente për gjëra që nuk duheshin “ hedhur në treg”!

Ai nuk e njihte intrigën, dashakeqësinë, përgojimin… Ç’ kishte, e thoshte direkt, kryesisht me humorin e tij therës, por pa të keq…
Interesant është se si natyra ngandonjëherë grumbullon aq shumë virtyte e veti të mira në një njeri të vetëm, (këtu kam parasysh edhe Skender Drinin), ashtu si, fatkeqësisht ndonjëherë ndodh e kundërta!…

Për shumë kënd një përvjetor i tillë do të ishte një ditë e madhe, herë herë e bujshme, me të ftuar të shumtë, intervista televizive e tortë plot qirinj që duheshin fikur… Për Skenderin ajo me siguri do të ishte një ditë e zakonëshme, që do të rridhte thjeshtë , siç kishin rrjedhur të gjitha të tjerat… Madje, ma do mendja, ai as që do të kujtohej fare se kishte një përvjetor të tillë…E ku kishte kohë ai të merrej me përvjetorë!… Ai do të zgjohej me preokopimet e mëngjezit të ngarkuar me andrralla, do të shpejtonte të kryente me përkushtim detyrimet e përditëshme familjare e do të zbriste poshtë shkallëve duke u mbajtur për parmakë,(vitet e fundit), me cigaren që s’e hoqi nga goja deri në fund të jetës, do të dilte në rrugë me shpresë se aty mund të kalonte me makinë, Leka, Tafa a Besa ,apo dikush tjetër, që ta shpinte deri tek caku, ku e priste një tavolinë , e dyndur përreth me njerëz të mirë, që i falnin dashuri… Ata, si të prisnin një sihariq të madh, tash e parë hidhnin sytë me ankth, se mos po ndalej ndonjë makinë para “Bar Venecia -s”, apo mos dukeshin diku larg kaçurrelat e thinjura, shpesh të shpupurishur të “profesorit” që çapiste me zor në trotuar…

Dhe pastaj, rreth tavolinës që i shtonte gjithnjë e më shumë karriget përreth, do të plaste si përditë debati për çdo gjë në ketë botë, herë – herë ngadalë e shtruar, herë me tone të ngritura e poterë…

Dhe Skenderi do t’i dëgjonte, më të qeshurën në sytë e tij, po me fytyrën serioze dhe rrallë, shumë rrallë, mund të kumbonte zëtrashë ndonjë e qeshur e beftë në këtë zallamahi diskutimesh e ai do të ngazëllehej, në këtë oaz paqeje e dashurie të pashoq.

Pastaj, si të kujtohej për një punë të lënë përgjysëm, do të më thoshte si me komandë: Ngrihu, se u bëra vonë!… Do ta bënim rrugën bashkë deri te Ura Dervishbeg e prap do më thoshte: Eja në shtëpi pasdreke! Po mos rri shumë, se “do të mbyll heret!…” Kjo donte të thoshte, se ai do t’i përvishej punës për librin e ri, një punë që zgjaste shumë orë dhe që ndërpritej përkohësisht vetëm nga instinkti i detyrimeve familjare…

Kam folur disa herë dhe kam ngritur zërin, se ai meritonte shumë, sidomos në të gjallë, meritonte kushte më të mira jetese si bashkëpenasit e tij cilësorë…Po, të them të drejtën, unë nuk e di a do të ishte po ai Skender Drini i ynë, në se do të kishte kushte të mira!… Kam mendimin se jo. Ai kishte lindur të shkruante në kushtet e tij, me problemet e tij, me Karolinën e tij…

Kam patur fatin dhe rastin të vizitoj shtëpitë e disa shkrimtarëve, muzikantëve, artistëve të mëdhenj në vende të ndryshme të botës, kam vendosur buqeta me lule në varret e Çehovit, Dostojevskit, Ibsenit, Glinkës, Andersenit, etj, por është diçka krejt e thjeshtë, por domethënëse, ajo që më ka mbetur në mendje në një qytet të Ukrainës, Harkov, ku para disa vitesh, tek shetisja i vetëm nepër rrugicat e qytetit, u ndala i befasuar dhe i emocionuar, sepse në një shtëpi dykatësshe me mur të lartë, që më kujtoi Shkodrën, kishte një pllakë ku shkruhej: “Këtu jetoi dy muaj Nikollaj Gogol”.

Siç ndodh zakonisht në tilla raste, mendja më fluturoi në vendin tim, në qytetin tim, ku “uragani i papërsëritshëm, Migjeni, endej dhe endet rrugëve si i pastrehë”, “ Homerit shqiptar”, Gjergj Fishtës, deri para do kohësh, po i shembej shtëpia, në një kohë që në mesin e Shkodrës, shtëpinë karakateristike të patriotit Luigj Gurakuqi, me kohë e kanë shembur rruspat dhe buldozerët…

Ç’bëhet kështu? Është shumë e dhimshme, e pafalshme që brezave të rinj t’u mohohet një e drejtë të prekin historinë dhe krenarinë kombëtare… Me talentin dhe veprat e bijve të saj, Shkodra duhej të kishte dhjetra shtëpi muze..

Ndaj edhe tani, unë tërhiqem nga ato që kam thënë për titujt e munguar të Skenderit tonë. Titujt shpesh zhvleftësohen nga dhënja me tepri e pa kriter, shpesh dhe aty ku nuk duhet…Skender Drini nuk meriton një titull për lëmoshë, për keqardhje… Nuk e meriton lavdinë, që për disa, eshtë fare e lehtë, dhe përftohet me një të rënë telefoni tek Filani apo Fisteku në Presidencë a Ministri… Nuk e meriton pas gjithë kësaj heshtje të akullt eunukësh shterpë, pas gjithë asaj mosmirënjohje inatçore të aparatçikëve të paaftë…

Veprës së tij të një vlere dhe krenarie kombëtare, ia ka dhënë titullin populli i gjërë, dhjetra mijra lexues e admirues të tij… /Nga Mustafa TUKAJ/


REKLAMAT NË KËTË FAQE, JANË I VETMI BURIM PËR TË GARANTUAR PAVARËSINË, PAANËSINË DHE PROFESIONALIZMIN E KËSAJ MEDIA. NËSE KENI MIRËSINË NË KËTO REKLAMA, JU NA JEPNI NJË MBËSHTETJE TË ÇMUAR! FALEMINDERIT!

Fibank Albania

Banka Credins