Hyn në fuqi vendimi i Qeverisë. Nga sot Qendra Kombëtare e Biznesit nuk do të ofrohen më shërbime në sportel, por vetëm online nëpërmjet portalit e-Albania.
Në vendimin “Për përcaktimin e procedurave të regjistrimit dhe të publikimit në Qendrën Kombëtare të biznesit”, të ndryshuar, i botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet mospranimi i aplikimeve në sportele për lëshim të ekstrakteve të subjekteve, por dhëniea e tyre për të interesuarit vetëm nëpërmjet formatit elektronik, pas aplikimit online.
Po ashtu edhe aplikimet për korrigjimin e gabimeve do të bëhen online. Gjithashtu për çdo vendim të QKB-së aplikantët do të njoftohen online, përmes portalit e-Albania.
Në vendimin “Për përcaktimin e procedurave të regjistrimit dhe të publikimit në Qendrën Kombëtare të biznesit”, të ndryshuar, përkatësisht në kreun VII, janë bërë ndryshimet si më poshtë:
Në pikën 54 të vendimit, pas togfjalëshit “ në faqen zyrtare të internetit të QKB-së” shtohet togfjalëshi “ si dhe në portalin e-Albania” , i cili i referohet ndjekjes dhe gjurmimit të aplikimit.
Në vendim sqarohet se çdo person i interesuar, pa qenë i detyruar të identifikohet, mund të kryejë, kërkime në të dhënat e publikuara nga QKB-ja në faqen zyrtare, për çdo të dhënë të regjistruar, me përjashtim të adresës së banimit të individëve. Këto kërkime mund të kryhen elektronikisht në faqen zyrtare të QKB-së.
Në pikën 56 të vendimit, theksohet fakti se çdo person, ka të drejtë të marrë, në format elektronik, ekstrakte për të dhënat e regjistruara të çdo subjekti. Gjithashtu çdo person mund të marrë në format shkresor kopje të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse.
Vendimi i ndryshuar përcakton edhe shfuqizimi e pikave 57, 58, 59 dhe 60 të vendimit të mëparshëm (është hequr marrja e ekstraktit ne sportel) tek pika 56 theksohet që merret vetëm online.
Ndryshe nga vendimi i mëparshëm që përcaktonte se kërkesa për korrigjimin e gabimit mund të bëhet nga çdo person i interesuar me aplikim sipas formatit të miratuar. Edhe aplikimi për korrigjimin e gabimit paraqitej në sportel nga personi i interesuar, një shërbim që ofrohej pa pagesë.
Sipas vendimit të ndryshuar aplikimi për korrigjimin e gabimit mund të bëhet on-line nga subjekti, të cilit i përkasin të dhënat, nëpërmjet portalit “e-Albania”.
Po ashtu çdo vendim i QKB-së në lidhje me miratimin, pezullimin apo refuzimin e aplikimit i njoftohet në mënyrë elektronike aplikantit në portalin “e-Albania”, si dhe në faqen zyrtare të QKB-së, jo më vonë se 1 ditë nga data e paraqitjes së aplikimit.”
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.391, DATË 3.5.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË REGJISTRIMIT DHE TË PUBLIKIMIT NË QENDRËN KOMBËTARE TË BIZNESIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 76, të ligjit nr.9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.391, datë 3.5.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të regjistrimit dhe të publikimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
Në kreun I, “Organizimi i sporteleve”, bëhen këto ndryshime:
Titulli i kreut “Organizimi i sporteleve” zëvendësohet me “Portali “e-Albania””.
Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Aplikimi për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) bëhet pranë portalit “e-Albania”.
Pika 3 shfuqizohet.
Në kreun II, “Kërkesa të përgjithshme të aplikimit”, bëhen këto ndryshime:
Në pikën 5, fjalët “… pranë QKB-së …” hiqen.
Në pikën 6, fjala “… paraqesin …” zëvendësohet me fjalët “… ngarkojnë elektronikisht …”.
III. Kreu III, “Procedurat e aplikimit pranë sportelit qendror dhe sporteleve të shërbimit në territor”, që përbëhet nga pikat 10 deri në 23, shfuqizohet.
Në kreun V, “Procedurat e vlerësimit të aplikimit”, bëhen këto ndryshime:
Në pikën 33, fjalët “… pikës 23 apo …” hiqen.
Pika 34 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“34. Nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) i QKB-së verifikon me hollësi nëse aplikimi dhe dokumentet shoqëruese janë në përputhje me kërkesat e pikës 1, të nenit 54, të ligjit, të regjistrimit të biznesit, si dhe verifikon veprimet e kryera nga personi i autentifikuar elektronikisht.”.
Në pikën 41, fjalët “… III ose …” hiqen.
Në shkronjën “b”, të pikës 44, fjalët “… III ose …” hiqen.
Në kreun VI, “Dispozita për njoftimin e vendimeve”, bëhen këto ndryshime:
Pika 46 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“46. Çdo vendim i QKB-së në lidhje me miratimin, pezullimin apo refuzimin e aplikimit i njoftohet në mënyrë elektronike aplikantit në portalin “e-Albania”, si dhe në faqen zyrtare të QKB-së, jo më vonë se 1 (një) ditë nga data e paraqitjes së aplikimit.”.
Pikat 47 dhe 48 shfuqizohen.
Në pikat 50 dhe 51, fjala “… të paraqesë …” zëvendësohen me fjalët “… të ngarkojë elektronikisht në portalin “e-Albania” …””.
Në kreun VII, “Dispozita për publikimin elektronik dhe marrjen e informacionit”, bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
Në pikën 54, pas fjalëve “… në faqen zyrtare të internetit të QKB-së …” shtohen fjalët “… si dhe në portalin “e-Albania” …”.
Pikat 55 dhe 56 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“55. Çdo person i interesuar, pa qenë i detyruar të identifikohet, mund të kryejë kërkime në të dhënat e publikuara nga QKB-ja në faqen zyrtare për çdo të dhënë të regjistruar, me përjashtim të adresës së banimit të individëve. Këto kërkime mund të kryhen elektronikisht në faqen zyrtare të QKB-së.
Çdo person ka të drejtë të marrë, në format elektronik, ekstrakte për të dhënat e regjistruara të çdo subjekti. Gjithashtu, çdo person mund të marrë, në format shkresor, kopje të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse.”.
Pikat 57, 58, 59 dhe 60 shfuqizohen.
VII. Në kreun X, “Procedurat e korrigjimit të gabimeve”, pika 70 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“70. Aplikimi për korrigjimin e gabimit mund të bëhet on-line nga subjekti, të cilit i përkasin të dhënat, nëpërmjet portalit “e-Albania”.”
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA