Vëllai trafikant i ministrit të brendshëm dhe morali i dështuar i vettingut në polici

Fatmir Xhafaj nuk ka asnjë përgjegjësi nëse vëllai i tij Agron (Geron) Xhafaj është akuzuar, kapur apo dënuar me burg si trafikant droge. Fatmir Xhafaj nuk ka asnjë përgjegjësi që policia shqiptare nuk e ka kapur dhe nuk e ka ekstraduar Agron (Geron) Xhafën drejt Italisë për të vuajtur dënimin me rreth 7 vite burg. Fatmir Xhafaj nuk ka përgjegjësi që, qoftë kur ai si politikan ishtë në opozitë apo edhe kur ishte në pushtet, PD-ja e anatemon, e nxin në sytë e opinionit publik. Pa më të voglin problem, Fatmir Xhafaj është zgjedhur deputet nga qytetarët dhe do të vazhdojë të zgjidhet për shumë kohë, kur emri i tij të rreshtohet në pjesën fituese të një liste në ndonjë qark të vendit nga Partia Socialiste.

Të gjitha sa më sipër, vlejnë për Fatmir Xhafën si qytetar i Republikës së Shqipërisë, madje edhe deri në rolin e deputetit të Kuvendit. Si ministër i brendshëm, ndryshon pak puna. Për Saimir Tahirin deri më sot, ka vetëm dyshime që burojnë nga hetime të një organi akuze të huaj. Nëse do të vijë dita, prokuroria duhet ti mbushë mendjen të gjitha gjykatave shqiptare që Tahiri është fajtor për përfshirje në trafik droge. Si do të shkojë puna, nuk mund ta paragjykojmë por Saimir Tahiri bëri atë që nuk e ka bërë asnjë poltikan, vetëm i akuzuar, deri tani: Dorëzoi mandatin e deputetit! Ishte lojë, nuk ishte lojë, kishte garanci, kërcënoi, kjë është temë tjetër. Unë po përcjell faktet.

Pasuesi i tij Fatmir Xhafaj, erdhi në këtë dikaster me një dozë të fortë morale, si një prodhim i shkollës së rreptë ruse të para 1990-ës. Në shumë raste, fotot e tij në krah të diktatorit Hoxha, ndikuan pikërisht për të forcuar këtë imazh. Në pozicionin e antarit të ekzekutivit, pushteti dhe përgjegjësia janë me e lartë, më direkte. Nuk je thjesht mbikqyrës i politikave qeveritare siç mund të jetë deputeti, por zbatues i tyre. Është e lehtë të biesh në konflikt interesi.

Sipas meje, pikërisht në këtë konflikt ka rënë Fatmir Xhafaj si ministër i brendshëm i Shqipërisë. Ligjërisht, çfarë ka bërë me ligjin e ekstradimeve, kodin penal apo ndonjë ligj tjetër për të shpëtuar vëllanë, këtë ta gjykojnë ata që kanë informacion apo akses në dokumenta parlamentarë. Në sensin moral, Xhafaj është në konflikt të thellë interesi. Sidomos përballë policëve, të cilëve u ka kërkuar të kalojnë përmes procesit të vettingut.

Pas publikimeve më të fundit të opozitës, do të jetë shumë e vështirë për Fatmir Xhafën të vazhdojë turin e llogaridhënies para qytetarëve por edhe vartësve. Janë qindra punonjës policie, që për shumë më pak se vëllai i ministrit të brendshëm, janë detyruar të japin dorëheqjen, ndoshta edhe nga “buka e gojës”. Sepse mbase, diku dikur kanë gabuar. Janë disa punonjës policie që kanë arritur deri në vetëvrasje si pasojë e rregullave strikte të vettingut në polici. Si mund të ndjehet titullari me i lartë civil i policisë shqiptare nësë në polic mund ti përmend vëllanë, i dënuar me vendim të formës së prerë nga një drejtësi e huaj si trafikant droge? Sepse po të ishte denim i drejtësisë shqiptare, do të ishte e lehtë të hidhej poshtë përmes rrugës politike.

Për ironi të fatit, koha po tregon se kjo qeveri, nga 2013- a e këtej, po “fut ujë” në qeverisje më shumë nga dikasteri i punëve të brendshme. Akuzat janë të rënda, direkt ose indirekte, lidhen me temën e drogës dhe të abuzimit me detyrën e pushtetin. Për të shpëtuar sado pak imazhin e kësaj qeverie, e vetëshpallur kampione e “etjes për drejtësi e vetting” kudo, në çdo sferë të jetës, Fatmir Xhafa do të ishte mirë të jepte dorëheqjen. E përsëris, dorëheqje në emër të moralit, atij moral që edhe vetë kryeministri Rama e trumpeton që nga 2013-a e këtej. Nëse kjo nuk ndodh, është në nderin e Ramës ta shkarkojë Xhafën, të cilin është e qartë se nuk e ka aq “xhan” sa Saimir Tahirin që u detyrua ta largonte në fakt pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. E nëse asnjëra nga këto nuk ndodh, atëherë Rama duhet të nisë të përdorë përveç “kazanit” edhe termin “rrumpallë”, këtë herë për qeverisjen e tij që veç të tjerave, do të mbahet mend për inkriminimin të paktën moral, të ministrave të brendshëm. /Nga Blerti DELIJA/