Vëllai i identifikuar prej vitesh si “vrasës me pagesë”, motra e Nuredin Dumanit punonjëse e Ministrisë së Jashtme

Ministria e Jashtme ka punësuar motrën e Nuredin Dumanit, personit të arrestuar për dhjetëra vrasje me pagesë në vend ditët e fundit. Xhuljana Dumani rezulton se është pajisur edhe me ceritifikatë sigurie pasi punon në zyrën e marrëdhënieve me NATO-n në dikasterin e diplomacisë. Pas arrestimit të vëllait të saj dhe dëshmive për pjesëmarrjen e tij në dhjetëra atentate, Policia e Shtetit rezulton se ka marrë në mbrojtje të renë, e cila ka në dorë informacione sekrete të sigurisë dhe diplomacisë.

Motra e vrasësit me pagesë Nuredin Dumani, personit që ka treguar dhjetëra krime të rënda në Prokurorinë e Posaçme SPAK, rezulton të jetë punonjëse e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.


Xhuljana Dumani është pjesë e këtij dikasteri, duke shërbyer në funksione të ndryshme, dhe së fundi Zyra e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar pranë Kryeministrisë, i ka dërguar asaj edhe certifikatën e sigurimit të personelit.

Ora News mëson se Xhuljana Dumani, shërben pranë Zyrës së Nën/rregjistrit të Informacionit të Klasifikuar për NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në një kërkesë të datës 25 Maj 2022, të bërë nga Ora News për marrje informacioni pranë Ministrisë së Jashtme, ky dikaster është pyetur nëse Xhuljana Dumani ishte pjesë e organikës së këtij institucioni.
Ministria në atë kohë as nuk e mohoi por dhe as nuk e pranoi prezencën e kësaj punonjëse, por në datën 6 qershor 2022, Drejtori i Drejtorisë së “Vettingut” dhe sigurimit Industrial, Mark Ndreca, ka firmosur dhënien e Certifikatës së Sigurisë të Personelit për punonjësen Xhuljana Agim Dumani.

Nga verifikimet e kryera në Rregjistrin e Gjendjes Civile, rezulton se Xhuljana Agim Dumani është motra e Nuredin Agim Dumani nga Sinaballaj e Kavajës.

24-vjeçarja është pjesë e zyrave të shërbimit në Drejtorinë për NATO-n, që ndodhet në Ministrinë për Europën dhe Punëve të Jashtme.

Mësohet se e reja vijon të jetë ende në detyrë, dhe njëherësh të jetë marrë në mbrojtje dhe nga Policia e Shtetit, pas deklaratave dhe akuzave për krime të rënda, nga vëllai i saj Nuredin Dumani në SPAK.

Ai konsiderohet një nga dëshmitarët kryesorë, pasi ka treguar më shumë se 20 episode kriminale, duke nxjerë rreth 100 emra të botës së krimit.

Pavarësisht se Dumani ishte në arrati për disa vite dhe konsiderohej si lider i një grupi vrasësish me pagesë, motra e tij, Xhuljana Dumani, është punësuar në administratën e Ministrisë së Jashtme duke i besuar edhe informacione sekrete të diplomacisë dhe sigurisë në vend e më gjerë. /Oranews/