ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

“Nuk më ndalon asnjë kërcënim, as shantazh….!”, kryebashkiakja Voltana Ademi flet për situatën pas 30 qershorit

Kur u kthye nga emigracioni në vendlindje bashkë me familjen e saj, Voltana Ademi besoi se ky vend mund të bëhet… Gruaja e fortë e Shkodrës përballë së cilës u gjunjëzua Edi Rama dhe mazhoranca që ai drejton, beson edhe sot se pavarësisht situatës kaotike që shoqëroi procesin zgjedhor të 30 qershorit, Shkodrës iu rikthye qetësia. Kryebashkiakja e metropolit të veriut thotë për “Gazeta Shqiptare”, se “qetësia është pika e fortë e Shkodrës e shkodranëve, gjithnjë në shërbim të gjetjes së zgjidhjes më të mirë”. Atëherë kur kryebashkiakët e djathtë e dorëzuan njëri pas tjetrin mandatin, Voltana Ademi nuk e dorëzoi as e fundit. Ajo u kthye në simbolin e rezistencës teksa tregon se ku e gjeti forcën për të ecur përpara…

Zj.Ademi, Shkodra e shkodranët duken më të qetë kohët e fundit, çfarë ua riktheu qetësinë pas 30 qershorit…?

Shkodra përgjatë historisë së saj mijëravjeçare, është njohur për shumë vlera të përcjella në shekuj. Gërmimet e fundit në kalanë “Rozafa” kanë zbuluar qytetërim mbi 5 mijë vjeçar. Me këtë dua të them se Shkodra por edhe shkodranët, kanë kaluar situata nga më të ndryshmet dhe tashmë kanë krijuar një “përvojë” në përballimin e gjithsecilës, duke dalë gjithmonë faqebardhë. Shkodra është nënë shumë e dashur, por edhe “Zonjë e randë” me hiret e saj. Shkodra është edhe “mizore” për ata që duan ta nëpërkëmbin dhe që nuk ia dalin asnjëherë. Natyrisht, edhe shkodranët si bij të saj, kanë po këto gene. Kjo, parantezë e detyrueshme për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj. Shkodra dhe shkodranët shqetësohen kur konstatojnë se po iu bëhet një padrejtësi dhe reagojnë. Në këtë pikë, ndoshta ndjeshmëria e saj është më e lartë se e të gjitha qyteteve të tjera. E kanë treguar edhe në kohët më të errëta të historisë, nën pushtimin e huaj por edhe atë komunist. Reminishencat e këtij të fundit, sigurisht që krijojnë ndjeshmëri, aq më shumë kur Shkodra dhe zonat përreth, vuajtën si pakkush në Lindje murtajën komuniste. E qetësia, është pika e fortë e Shkodrës e shkodranëve, në shërbim të gjetjes së zgjidhjes më të mirë për të ruajtur kthjelltësinë e mendimit e veprimit. Të reagosh me vendosmëri por pa bërë asgjë që nuk duhet bërë, është qetësi dhe dinjitet. E këtë Shkodra e ka treguar, e tregon dhe jam e bindur se do ta tregojë gjithmonë.

Përse Edi Rama nuk mundi të ndalë dot kryetaren e Bashkisë së Shkodrës as pas 30 qershorit?

Mendoj se përgjigja në këtë rast është shteruese. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës është zgjedhur drejtpërdrejtë nga shkodranët në zgjedhje legjitime, të gjithëpranuara, pluraliste dhe me standarde demokratike. Edi Rama provoi të uzurpojë Shkodrën në bashkëpunim me elementë kriminalë. Madje, ironia e fatit solli që pikërisht nga ky bashkëpunim, edhe u rrëzua në misionin e tij kriminal për të thyer Shkodrën. Nuk ia kanë dalë të përkulin Shkodrën e shkodranët as diktatorët më të egër në epoka të ndryshme, nuk ia doli dhe nuk do ia dalë as Rama. E kam thënë dhe është momenti ta përsëris, Shkodra është fillimi, nga këtu ka nisur dhe do të nisë edhe këtë herë rikthimi i demokracisë në këtë vend. Rama në 6 vite ka treguar me fakte bashkëpunimin me krimin dhe klientët e tij për të marrë e mbajtur pushtet ilegjitim. Kështu tentoi të bëjë edhe në Shkodër me 30 qershor.

Nuk e dorëzuat as e fundit Bashkinë e Shkodrës, por a është e vështirë për një grua që t’i bëjë rezistencë burrave të pushtetshëm me ‘duart’ e drejtuara nga Shkodra?

Shkodra, shkodranët dhe Bashkia e tyre nuk dorëzohen. Edhe ligjërisht, edhe moralisht, nuk mund të flitet për dorëzim tek dikush apo disa. E thashë edhe më lart, kryetari i Bashkisë, Këshilli Bashkiak, janë dhe duhet të jenë vetëm produkt i vullnetit të shkodranëve, përmes votës së lirë. Në këtë kuptim, Bashkia e Shkodrës i dorëzohet vetëm verdiktit të shkodranëve, të shumicës së shkodranëve, por kur u garantohet e drejta e zgjedhjes me alternativa, garancia e votës dhe numërimit të saj.

Në momentin që të besojnë votën e tyre mijëra shkodranë, në momentin kur gjatë bashkëbisedimit me ta i kupton dhe përpiqesh të japësh maksimumin për ta me ndershmëri e përkushtim, në momentin kur e kupton se je në krye të Bashkisë vetëm për të shërbyer, vetëm për të përmirësuar sado pak cilësinë e jetës së përditshme, atëherë e kupton se prioriteti është dhe duhet të jetë vetëm puna. Në këtë kuptim, nuk ka më burra të pushtetshëm siç thoni ju, por ka qytetarë të barabartë, me të drejta e detyrime të barabarta, duke nisur nga kryetari i Bashkisë. Kur merr përsipër një mision të tillë, orientimi është në përmbushjen e objektivave të ditës, javës, muajit, vitit, mandateve e kështu me radhë.

Si përfaqësuese e opozitës, ju nuk i keni mundësitë qe të përballeni me kryeministrin Rama, i cili përgjatë mandatit tuaj ju ka akuzuar, kallzuar penalisht, madje edhe ju ka fyer publikisht por ju i dolët përballë dhe nuk u dorëzuat. Kush ju dha forcë, ku u mbështetët në këtë betejë 4- vjeçare duke u kthyer në simbolin e rezistencës ndaj zgjedhjeve me njëkandidat të 30 qershorit?

Nuk ka forcë më të madhe dhe më ndryshuese se ajo e qytetarëve që të mbështesin jo vetëm me votë por edhe moralisht. Do t’ju them një “sekret”. Kur dita është shumë e ngarkuar, kur jo gjithçka më ecën sipas parashikimeve, dal dhe takoj njerëzit, banorët në të gjithë territorin e Bashkisë. Bashkëbisedoj, debatoj por në fund ndjehem e qetë, e mbushur plot dhe rifilloj përsëri me energji të reja, më të mëdha. Unë e gjej forcën, askund tjetër, përvese tek bashkëqytetarët e mi, tek qyteti im, aty ku jetoj. Ashtu siç janë kritikë për gjëra që ne bashkë nuk kemi patur mundësi t’i bëjmë më mirë, po aq mbështetës e mirëkuptues janë kur u flet përballë, i sheh në sy, u tregon si është e vërteta. Ata janë të pakursyer në mbështetjen e tyre. Sepse, të sqarojmë diçka. Edi Rama nuk ka patur (besoj unë!) diçka personale me Voltana Ademin. Inatin ai e ka me Shkodrën dhe këtë e ka treguar më së miri me 30 qershor, para e pas kësaj date. E tregoi dhe vazhdon ta tregojë prej 6 vitesh me persekutimin që po i bën popullit të Shkodrës, duke e lënë totalisht jashtë vëmendjes së investimeve nga buxheti i shtetit.

A do të bënit po ketë rezistencë nëse Voltana Ademi do të drejtonte një tjetër bashki të vendit, apo do ta dorëzonit siç bënë kryebashkiakët e tjerë të PD-së të cilët dorëzuan zyrat?

Për vetë angazhimin tim në politikë prej shumë vitesh, kam patur mundësi të takoj mijëra njerëz, thuajse në çdo qytet të Shqipërisë. Ne, shqiptarët, jemi popull vital, i ndershëm, i mirëkuptueshëm, por edhe kërkues. Por natyrisht, për mua shkodranët dallojnë nga të gjithë të tjerët. Nuk e them thjeshtë si bashkëqytetare e tyre por e pohoj nisur nga historia e re dhe e vjetër e këtij vendi me emrin Shqipëri. Në çdo aspekt të jetës sociale, të sportit, artit, kulturës, lëvizjeve demokratike në të gjitha etapat, Shkodra ka shënjuar fort në historinë e Shqipërisë e shqiptarëve.

Për të ardhur tek përgjigja juaj, personalisht si Voltana Ademi, do të kisha të njëjtën qasje në raport me “30 qershorin” në çdo bashki po të isha. Unë i përkas një shtrese, që lirinë e ka konsideruar brez pas brezi të shenjtë, duke sakrifikuar çdo gjë për të. Por në çdo bashki tjetër, nuk do të isha aq e fortë, aq e mbështetur, aq e sigurtë sa jam ndjerë këto 4 vite në drejtim të Bashkisë së Shkodrës. E kjo, për meritë të bashkëqytetarëve të mi, të cilët nuk mjaftojnë fjalët për t’i falënderuar. Shkurt, shkodranët për mua janë më shumë se të mrekullueshëm dhe Shkodra është…Shkodër! Sigurisht, pa dashur të anashkaloj asnjë qytet apo bashki tjetër në vendin tonë.

Kush është personi që ju ka inkurajuar gjatë gjithë kësaj periudhe për të mos u tërhequr nga drejtimi i Bashkisë së Shkodrës?

Gjatë katër viteve të fundit, natyrisht edhe më herët, kam marrë mijëra mesazhe, emaile, në rrjete sociale etj. Por sa kam marrë para dhe pas 30 qershorit, është në kufijtë e të pabesueshmes. Jo vetëm nga banorë të Bashkisë së Shkodër, por edhe bashkëqytetarë nga jashtë vendit, nga shqiptarë brenda e jashtë Shqipërisë, të njohur e të panjohur. Të gjithë, pa përjashtim, gjej rastin t’i falënderoj përmes gazetës tuaj të nderuar. Ata kanë qenë inkurajimi im më i madh, vazhdojnë të jenë inkurajimi e mbështetja ime më e madhe çdo ditë të javës, çdo orë të ditës. Natyrisht, inkurajimi ka ardhur nga familja ime, të afërmit, bashkëpunëtorët, miqtë e të njohurit. Në fakt, është një ndjesi e radhë, e veçantë kur është kaq e gjerë, kaq masive, kaq e sinqertë. E padyshim, të jep forcë për të kaluar çdo vështirësi dhe asgjë nuk duket e pamundur me këtë inkurajim të gjithanshëm.

Cila është porosia që ju ka dhënë kreu demokrat Lulzim Basha?

Me kryetarin Basha kemi qenë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm. Për arsye dhe motive që nuk ka nevojë të shpjegohen, Shkodra ka një pozicion të veçantë edhe në Partinë Demokratike. Normalisht edhe kryetari Basha e ka në fokus. Takimet e shpeshta me qytetarët, takimet me strukturat janë tregues i asaj çfarë them, pa harruar edhe deklaratat për çështje sensitive për Shkodrën nga selia e PD. Në këtë linjë, kryetari Basha ka qenë dhe është i qartë: Asnjë lëshim apo tërheqje përballë krimit, përballë një qeverie dhe kryeministri uzurpator! Fatmirësisht në Shkodër, pati uzurpator në tentativë!

Zbatimi rigoroz i Kushtetutës, i ligjit ka qenë dhe do të jenë busull për ne. E për të gjitha, mbase është momenti që ta falënderoj publikisht kryetarin Basha, PD-në e demokratët shkodranë e shqiptarë për qëndrimin e vendosur dhe në favor të “Shqipërisë si e gjithë Europa”.

Gjatë situatës kaotike në Shkodër si pasojë e 30 qershorit, a jeni kërcënuar me qëllim që të ikni nga drejtimi i bashkisë?

E kam thënë edhe më parë e po e përsërisë. Në 6 vite krimi ka arritur në nivelet më të larta. Janë çështje që “drejtësia” po i anashkalon apo po përpiqet t’i mbyllë edhe pse janë flagrante. Sot kemi ministra e ish- ministra, drejtorë e ish- drejtorë policie, deputetë e ish- deputetë që janë bërë njësh me krimin. Me krimin ato po vjedhin pushtetin që më pas të vjedhin e plaçkitin vendin tonë. Në një situatë të tillë, kur pasiguria për jetën e pronën është në nivele maksimale, fjala “kërcënim” është e shkallës më inferiore.

Ky vend është i etur për drejtësi. Drejtësi të vërtetë dhe jo si ajo që presidenti i vendit e cilëson “Ramaformë”: Dikush i njerkës e dikush i nënës. Me këtë standard “drejtësie”, çdokush është i kërcënuar, me përjashtim të atyre që e komandojnë këtë drejtësi- dhe dihet se cilët janë, apo të atyre që mbajnë peng përmes dosjeve ata që e komandojnë vetë “drejtësinë”. Treguesi më i mirë, janë zhvillimet e ditëve të fundit, të cilat besoj po i shohim të gjithë.
Gjykoj se problemi nuk është nëse është kërcënuar apo jo Voltana Ademi. Ata që më njohin, e dinë se nuk resht në përpjekjen time. Aq më shumë kur kam inkurajimin e mijëra bashkëqytetarëve e përtej. E përsëris, Bashkia e Shkodrës është e shkodranëve, vetëm ata vendosin. Nuk ka kërcënim as shantazh që krahasohet me forcën e tyre.

Rasti i Shkodrës krijoi një situatë ngërçi, madje edhe për ligjvënësit. 8% ‘mjeran’, u pasua nga një kryebashkiak që kishte probleme me dekriminalizimin ndaj u dorëhoq pas akuzave me fakte të opozitës, por çfarë po ndodh aktualisht me Shkodrën të cilën Edi Rama këmbëngul se do ta marrë?

Administrata e Bashkisë së Shkodrës, ka qenë dhe është totalisht e përqendruar në punë. Siç besoj e keni konstatuar edhe ju, ditë për ditë punohet, ndërtohen rrugë, qendra sociale, riparohen shkolla e kopshte, garantohen shërbimet për qytetarët. Në Shkodër po ndodh ajo që ka ndodhur gjithmonë, të paktën këto katër vitet e fundit: Punohet fort, me përkushtim, me sakrifica e vështirësi, si një familje e madhe, për të përmirësuar sa më shumë të jetë e mundur jetën tonë.

Unë nuk e di se çfarë ka në mendje Edi Rama. Di të them se fatet e Shkodrës i vendosin vetë banorët e saj. Vetëm ata, me vullnetin e tyre vendosin. Shkodranëve duhet t’u jepet sa më shpejt e drejta kushtetuese për të zgjedhur për Bashkinë e tyre, për atë që duhet të bashkëqeverisë me ta dhe për ta.

Ju e mundët Edi Ramën në Shkodër, madje “pa gjuajtur” molotov në protestë, por cilat do të jenë hapat e mëtejshëm të Voltana Ademit?

Edi Ramën e mundi Shkodra, shkodranët dhe Voltana Ademi është njëra prej tyre, pavarësisht se sot e kanë zgjedhur që të jetë në pozicionin që është. Tek kjo historia e “molotovit” nuk ia vlen të ndalemi sepse, përmes saj, Rama u përpoq të shpërqendrojë vëmendjen e shkodranëve, por nuk ia doli. Siç themi ne në Shkodër, Edi Ramën e mundi zullumi, më saktë zullumet e tij në dëm të shkodranëve.

Hapat e Voltana Ademit do të jenë ata që kanë qenë gjithmonë, që në sekondën e parë në pozicione publike e administrative: Zbatim dhe bindje e plotë ndaj Kushtetutës, ligjeve, dekreteve dhe akteve të tjera. Sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër në një shtet ligjor që sot nuk është funksional dhe e tregoi më së miri edhe “30 qershori”. Por, siç e kam thënë, siç edhe shumica e shqiptarëve, vazhdojmë të besojmë tek e drejta, tek drejtësia e bazuar në ligj. Vetëm vënia e drejtësisë e bazuar në ligj është ilaçi për plagët e thella që i janë hapur shoqërisë sonë, sidomos në këto 6 vitet e fundit.

Qeveria ju bllokoi fondet për shkak se nuk liruat zyrën e kryebashkiakes, ndërkohë ju vazhdoni të punoni për projektet e nisura të bashkisë. Edhe për sa kohë?

Ishte një lajthitje e zyrtarëve në Ministrinë e Financave që, papritur, vendosën t’i japin vetes atributet e institucioneve të tjera. Fatmirësisht gabimi u kuptua shpejt dhe u riparua. Sepse nuk do të dëmtohej Voltana Ademi, nuk do të dëmtohej institucioni i Bashkisë së Shkodrës por Shkodra e shkodranët, të cilët do të privoheshin jo vetëm nga shërbimet, por edhe investimet, të cilat siç e dini, realizohen vetëm me të ardhurat e siguruara nga taksat e tarifat që paguajnë banorët e Shkodrës.

Ne vazhdojmë projektet e miratuara për vitin 2019. Ndërkohë, sapo kemi përfunduar diskutimet publike me banorët në të gjitha njësitë administrative dhe në qytet për projektbuxhetin e vitit 2020 dhe atë afatmesëm 3-vjeçar. Kanë qenë vetë qytetarët që kanë përcaktuar prioritetet e tyre dhe mbi bazën e tyre, do të hartohet edhe projektbuxheti që do t’i paraqitet për miratim Këshillit Bashkiak. Me mbështetje zero nga qeveria, por falë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, ia kemi dalë të tregojmë se të gjithë bashkë mund të ndërtojmë, të përmirësojmë pak nga pak jetën tonë. Me ato të ardhura që mbledhim nga bashkëqytetarët edhe pse vazhdojmë të kemi barrën fiskale më të ulët në të gjitha bashkitë e vendit. Do të ecim përpara, pa kthyer kokën pas. Të gjithë bashkë për Shkodrën dhe do të vazhdojmë gjatë, për sa kohë shkodranët do të vazhdojnë të na mbështesin si deri më tani.

Pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, Presidenti Meta ka deklaruar se nuk do të dekretojë zgjedhje të pjesshme pasi ka një datë, 13 tetori për zhvillimin e zgjedhjeve lokal. Cili është qëndrimi juaj ndaj kësaj date?

Qëndrimi im është një dhe i vetëm, i përbashkët me të gjithë shkodranët: Të na jepet e drejta të zgjedhim vetë, në lirinë tonë, me vullnetin tonë ata që duam të na drejtojnë, qeverisjen tonë vendore. Kjo, si një e drejtë e pamohueshme, e patjetërsueshme dhe që na e garantojnë edhe konventat ndërkombëtare. Është detyrë e institucioneve t’i japin mundësinë e ushtrimit të kësaj të drejte shkodranëve, sa më parë që të jetë e mundur madje.

Sa i takon 13 tetorit, është një datë e dekretuar nga Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave të tij kushtetuese. E për këtë, më qartë se askush ka folur një “arbitër” i paanshëm ndërkombëtar siç është OSBE/ODIHR. Nuk po zgjatem, sepse tashmë është çdo gjë e shkruajtur e zezë në të bardhë dhe e përkthyer edhe në shqip.

Nëse do të ketë zgjedhje të reja, a do të rikandidoni sërish për një mandat të dytë si kryebashkiake e Shkodrës?

Pikë së pari, shkodranëve duhet t’u jepet e drejta të zgjedhin të lirë dhe si të gjithë evropianët e tjerë. Madje, personalisht, mendoj se përveç shkodranëve duhet të votojnë edhe lezhjanët, tiranasit, durrsakët, kuksianet, korçarët, gjirokastritet dhe në çdo bashki tjetër. Pas raportit të OSBE/ODIHR, nuk besoj se ka njeri në Shqipëri që e konsideron “30 qershorin” si legjitim. Megjithatë, mesa duket pritet që “goditjen finale” këtij procesi- farsë dhe të turpshëm për ne si shqiptarë, t’ia japë Gjykata Kushtetuese. Pas 30 viteve, rikthehemi sërish aty ku u nisëm: Kërkojmë zgjedhje të lira për të parandaluar një neo- diktaturë. Në këtë këndvështrim, është emergjencë kombëtare zhvillimi i zgjedhjeve në këtë vend, e sipas meje, jo vetëm vendore, por edhe politike. Qeveria aktuale nuk ka më asnjë legjitimitet për të qeverisur. E thonë ndërkombëtarët dhe jovetëm opozita. Të shkojmë të gjithë para shqiptarëve, të cilëve duhet t’u japim mundësinë të zgjedhin si evropianë, brenda e jashtë Shqipërisë. Vetëm kështu një qeverisje mund të jetë legjitime.

Sa më takon mua, kam besuar se ky vend mund të bëhet kur jam kthyer nga emigracioni bashkë me familjen time për të jetuar në Shkodrën time. E besoj edhe sot, pavarësisht kësaj situate anormale që mbizotëron në vend, ku një individ jo normal ka në dorë të gjitha pushtetet, gjithçka. Unë besoj se Shqipëria do të bëhet, Shkodra do të bëhet dhe do të jem pjesë e kontributit bashkë me të gjithë shkodranët e shqiptarët. Projekti i nisur në 2015-ën, duhet të vazhdojë dhe jam e bindur se do të vazhdojë me mbështetjen e shkodranëve, me mbështetjen e të gjithë njerëzve vullnetmirë. Kështu çojmë në vend amanetin e të parëve tanë që mbyllën jetën në diktaturë dhe u japim fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë se e patëm ne. /Intervistoi Valentina MADANI, GSH.al/

Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.