Pak pasi Gjykata e Posaçme e Apelit riktheu masën detyrim paraqitjeje me prezencë dy herë në muaj në SPAK të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili prej më shumë se një viti është nën akuzë dhe i pandehur për aferën “Partizani”, ka ardhur edhe reagimi i strukturave, për protestë para Prokurorisë së Posaçme.
Një mesazh i shpërndarë (SMS) strukturave të partisë në Tiranë, theksohet se “ditën e hënë, në orën 09:30 të mobilizojmë të gjitha strukturat për të protestuar para SKAP-it”, që e cilësojnë si strukturë “në duart e Ramës, për të përndjekur kundërshtarë politikë”.
Dhe në lidhje me motivin e këtij tubimi anti-SPAK, jepet “mbështetja e të drejtës, ligjit dhe së vërtetës që janë në anën e kryetarit të PD, Sali Berisha”. Mësohet se prezent në protestë do të jenë edhe deputetët e PD-së.
Mesazhi i shpërndarë strukturave:
“Të dashur miq!
Ditën e Hënë, në ora 09:30, të mobilizojmë të gjithë strukturat tona për të protestuar përpara SKAP-it, si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë. Do të jemi aty në mbështetje të së drejtës, ligjit dhe së vërtetës, që janë në anën e Kryetarit të PDSH-s Prof. Dr. Sali Berisha. Ora 09:30, përpara godinës së SKAP-it. Faleminderit!”.