
Ashtu sikurse edhe ishte raportuar ne njoftimin e pare te Ministrise se Brendshme per kete çështje, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore ndaj tre ish-drejtuesve të Policisë Vendore në Vlorë me qëllim largimin e tyre nga Policia e Shtetit.
Ndaj Jaeld Çelës, Gjergj Kohilës e Sokol Bodes është depozituar praktika përkatëse, në të cilën mësohet se është pasqyruar vendimi i Prokurorisë për nisjen e hetimeve dhe vendimet e arrestit. Burime nga Policia e Shtetit thanë se Komisioni i Disiplinës, pritet të dalë me një vendim brenda ditës së martë.
Pas këtij vendimi, një raport i detajuar me shkeljet e vërejtura, pritet t’i përcillet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili duhet të vendosë për largimin e tyre nga radhët e uniformave blu.
Burime pranë grupit hetimor thanë për Tv Klan se Prokuroria do t’i kërkojë Zyrës së Interpol Tiranës vendosjen e emrave të tyre në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë.
Ish-Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefi i Krimit të Organizuar, Gjergj Kohila dhe ish-Shefi i Postës Kufitare të Dhërmiut dyshohet të jenë larguar jashtë vendit. Por nuk përjashtohet mundësia që ata të vazhdojnë të fshihen në Shqipëri.
Sakaq, Top Channel raporton se Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka asnjë dyshim që operacioni për ndalimin e tre ish-drejtuesve të Policisë së Vlorës, është dekonspiruar.
Këtë bindje ata e mbështesin me faktin se në momentin kur janë marrë vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, në datë 21 nëntor, për ndalimin e tyre, Prokuroria kishte informacion të sigurtë që ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefi i Seksionit Kundër Krimit të Organizuar Gjergj Kohila dhe ish-shefi i Postës Policore të Radhimës, Sokol Bode ndodheshin në Tiranë.
Madje, burime nga institucioni i akuzës thonë se diheshin edhe zonat ku ata qëndronin, ndërsa nga ora 10;30 e paradites së të mërkurës e në vazhdim, asnjë prej tyre nuk u gjet në zonat ku ishin parë një ditë para se të lëshoheshin urdhër-arrestet.