Regjistrimet në ekstremin negativ në Universitetin “Luigj Gurakuqi” nuk duhet me gëzu askënd. Tradita e Arsimit të lartë në Shkodër është në pragun e 65 vjetorit të vet dhe lëngimi prej disa vitesh tashmë, është i papranueshëm.
Është kollaj t’i vësh fajin dhe të drejtosh gishtin e përgjegjësisë nga Ministria dhe reforma e arsimit të lartë. Rritja e mesatares për degët e mësuesisë pavarësisht pasojave, duhej bërë dhe këtu nuk pranoj asnjë argument kundër, sepse cilësia në sistemin arsimor nuk duhet të jetë luks, por kriter parësor.
Ikja e të rinjve sigurisht që influencon, por a nuk duhej të ishte fenomen kombëtar? Pse nuk po ndodh në universitetet e tjera? Universiteti “Luigj Gurakuqi” ka nevojë për një strategji të re.
Ndarja e degëve të ndërthurura ishte gabim. Shumë universitete në botë i kanë të ndërthurura degët. Ne e kishim dhe e ndryshuam. Ndoshta degët e mësuesisë duhen mbyllur përkohësisht dhe të hapen degë të reja. Pse jo të hapen dhe cikle 2 vjeçare të formimit të lartë profesional për degë ku ka mangësi specialistësh. Dikur ka patur shkolla të mesme bujqësore thuajse në çdo fshat, krahas qytetit dhe vinin nga e gjithë Shqipëria. Pse jo një cikël i lartë profesional?
E treta dhe më e rëndësishmja, t’i jepet fund nepotizmit në rekrutimin e pedagogëve në Universitet. E mos më thoni që nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh akoma.
Emergjenca e shpëtimit të jetës akademike, duhet të prevalojë në interesat mediokre të nepotizmit. Universiteti nuk është vetëm qendër akademike, por dhe një oaz ekonomik për qytetin tonë, që po shteron nga dita në ditë.
Uroj që politika të mos ndalet në deklarata të momentit, për përfitime të paqena të simpatisë apo empatisë së shkodranëve. Gjeni rrugën e zgjidhjes, bëjeni kauzë reale, pavarësisht në cilën anë të llogores jeni! Universiteti i Shkodrës nuk duhet të vdesë. Askush nuk do t’ua falë këtë gjë! /Nga Brunilda DIBRA, publikuar në Facebook/