
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” priti për herë të parë në një vizitë zyrtare Ambasadoren e Japonisë në Shqipëri, znj. Kato Kikuko, një moment domethënës për forcimin e lidhjeve akademike dhe kulturore mes dy vendeve. Vizita u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, duke theksuar vullnetin e përbashkët për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë.
Në kuadër të kësaj vizite u nënshkrua edhe një marrëveshje strategjike bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Japoni, me synim rritjen e mundësive akademike, profesionale dhe ndërkombëtare për studentët dhe stafin e universitetit.
Marrëveshja u firmos nga Rektori, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, dhe Kryetari i Dhomës, z. Avni Ponari, në prani të të ftuarve të nderuar:
• znj. Kato Kikuko, Ambasadore e Japonisë në Shqipëri
• z. Gjergj Teneqexhiu, Këshilltar pranë Dhomës Shqipëri–Japoni
• z. Alban Xhaferri, President i Klubit Vllaznia
• z. Blendi Dibra, përfaqësues nga autoritetet vendore
Marrëveshja përfshin:
• Projekte të përbashkëta zhvillimore dhe kërkimore
• Praktika profesionale për studentët
• Evente akademike dhe profesionale
• Shkëmbim përvojash menaxheriale dhe shkencore
Ky bashkëpunim 5-vjeçar shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të Universitetit të Shkodrës dhe konsolidimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Japonisë, në funksion të zhvillimit të arsimit cilësor dhe bashkëkohor.