“Unë isha për të vajza e ajo Nana që e deshta shumë”, ish- kryebashkiakja e Shkodrës humb njeriun e afërt…

Ish- kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ka ndarë një lajm të trishtueshëm me miqtë e saj në rrjetet sociale. Mëngjesin e sotëm, ajo ka humbur një nga njerëzit më të afërt, vjehrrën e saj, Domenikën. Me disa rreshta në faqen zyrtare në Facebook, Ademi përcjell ndjesitë e saj në ditën e një lajmi kaq të trishtë për të dhe familjen e saj.

“Nana e shpisë tonë, Domenika Mjeda largohet fizikisht nga jeta. Domja, nana jonë ishte një grua që me jetën e punën e saj më ka frymëzuar e mbështetur pa limit. Ishte gruaja me karakterin e fortë dhe që me vetmohimin e saj sfidoi vështirësitë e jetës në çdo ditë.


Ajo na dhuroi dashni e përkujdes pa dallim e me zemrën plot, të gjithëve ne, familjes së saj, nipërve e mbesave. Nana jonë punoi gjithë jetën shumë. Gëzimi i saj ishte mirëqenia e lumtunia e familjes së saj.

Unë isha për të vajza e ajo Nana që e deshta shume! Pushofsh në paqe nanë! 🙏”, shkruan Voltana Ademi në shenimin e saj.

Familjarët, të afërmit dhe miqtë e ish- kryebashkiakes, e dinin se vjehrra e saj ishte e sëmurë prej kohësh. Madje, edhe pse nuk e ka pohuar asnjëherë specifikisht, pikërisht gjendja shendetësore e vjehrrës së saj, ishte një nga arsyet që Ademi u tërhoq nga rikandidimi për Bashkinë e Shkodrës me 6 mars 2022. Deri në momentet e fundit të jetës së vjehrrës së saj, ish- kryebashkiakja i qendroi pranë dhe u kujdes për të.

Familja Mjeda njofton se mesha e shenjtë do të celebrohet në orën 15.00 në kishën e Arrës së Madhe ndërsa ceremonia e varrimit në varrezat e Rrmajit është në orën 16.00. ShkodraWeb i shpreh ngushëllimet e veta ish- kryevashkiakes Ademi, bashkëshortit, djalit dhe të gjithë familjarëve e të afërmëve për këtë humbje.