Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Bekim Balaj foli për “RTSH Sport” pas ndeshjes se një humbje 4-0 në shtëpi është e papranueshme. Gjithashtu, në një farë mënyrë sulmuesi shkodran e shprehu faktin se ishte i mërzitur që nuk luajti nga minuta e parë, sidomos në qytetin e tij:
“Normale që të doja të luaja, pasi ndeshja luhej në Shkodër dhe do të ishte një impuls më shumë për mua. Por është trajneri që vendos për 11-shen fillestare.
Sa i takon ndeshjes, nuk e di sa ishte penalltia, as kartoni i kuq. Ndeshja mbaroi shumë shpejt dhe kjo gjë na demoralizoi. Ishte e vështirë për ne lojtarët e stolit të kuptonim se çfarë ndodhi në rastin e Mërgimit. Pamë një karton të verdhë fillimisht, më pas kuptuam çfarë ndodhi. Nuk e kuptuam ende.
Gjithsesi, është e papranueshme të humbasim 4-0 në fushën tonë, përballë tifozëve tanë”,- u shpreh Balaj.