ULTIMATUMI/ 15 dite kohe per te shembur ndertimet prane rrugeve kombetare

“Të gjitha akset Kombëtare do të pastrohen nga  njësitë tregtare e tabelat e raklamave. Do të keni 15 ditë kohë që t’i hiqni vullnetarisht” është ky ultimatum që ka dhënë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri gjatë një  inspektimi  tek mbikalimi i Shkozetit.
Ministri shtoi se do të hiqen nga rruga të gjitha objektet e paligjshme dhe në përfundim të afatit 15 ditor  do të ndërhyhet në terren.
Sipas tij operacioni do të zhvillohet në disa faza dhe do të kërkohet zbatim rigoriz përcaktimeve të Kodit Rrugor.
“Në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë u bëj thirrje të gjithë atyre që me veprimet e tyre kanë cënuar disiplinën dhe sigurinë e akseve rrugore: Keni vetëm 15 ditë kohë që të bëni në mënyrë vullnetare çmontimin e çdo aktiviteti civil/ekonomik pa leje, heqjen e çdo tabele që nuk ka lidhje me sinjalistikën rrugore por e pengon atë. Në përfundim të këtij afati, strukturat përkatëse do të ndërhyjnë në të gjithë akset kombëtare. Nuk do të ketë asnjë tolerancë. Në përfundim të të gjitha fazave të operacionit, hyrje-daljet e akseve kombëtare, nyjet dhe hapësirat do të pastrohen plotësisht” është shprehur ministri.
Gjiknuri u shpreh se do të hiqen të gjitha tabelat që nuk kanë lidhje me sinjalistikën rrugore pasi bëhen burim aksidentesh.  Po ashtu do të bëhet çmontimi i çdo strukture të aktiviteteve civile ekonomike pa leje.
Ai shtoi se për shkak të problemeve që lidhen me çështjet e pronësisë operacioni do të zhvillohet në disa faza.
“Bazuar mbi hartat, listën e pikave të zeza të evidentuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar si dhe verifikimet në terren, jemi duke analizuar të gjitha pikat për ndërhyrje, duke klasifikuar ato sipas rriskut.
Po përgatisim një planveprimi të kordinuar me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Policinë e Shtetit dhe Pushtetin lokal. Për shkak edhe të ekzistencës së problematikave të trashëguara e të pazgjidhura, që lidhen edhe me çështjet e pronësië, operacioni do të zhvillohet në disa faza.
Si fazë e parë, do të fillohet me ndërhyrjen në rastet ku ka nevojë vetëm për pastrim dhe nuk ka implikime pronësore. Paralelisht do bëhet identifikimi, fotografimi dhe verifikimi i situatës së pronësisë lidhur me hapësirat dhe nyjet e rrjetit në akset kryesore rrugore.
Në një fazë të mëvonshme do të kalohet në ndërhyrjen e sistemuar sipas projekteve specifike aty ku ka nevojë për shpronësim, pastrim, sistemim dhe gjelbërim. Në përfundim të këtij operacioni do mund të krijohet dhe sistemi mbrojtës i hapësirave dhe nyjeve, sistemimi i hyrje-daljeve, në të gjitha akset kombëtare për të parandaluar përsëritjen e ndërhyrjeve të paligjshme” u shpreh Gjiknuri duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i mbështesin në këtë operacion i cili  ka për objektiv rritjen e sigurisë së jetës se gjithësecilit /shqiptarja.com/
Loading...

Lini një Përgjigje