Ul siparin Festivali i 56- të Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, çmimi i parë rrëmbehet nga Elbasani

Një sukses i gjithanshëm, kështu mund të klasifikohet edicioni i 56- të i Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë i organizuar në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Për tre netë me rradhë, Shkodra ishte kryeqendër e shqiptarisë, mundësuar edhe falë transmetimit direkt të eventit nga RTSH. Nata finale ka parë konkurrimin e 21 këngëve dhe duhet thënë se gara ka qenë vërtetë e fortë. Por natyrisht, çmimin e paë do ta rrëmbente vetëm një këngë. Juria ka vendosur që çmimi sivjet të udhëtojë drejt Elbasanit. Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi është ngjitur në skenë për të dhënë çmimin e parë për këngën “Çdo gjë do dashuri”, me muzikë nga Edmond Rrapi, teksti Leidi Shqiponja dhe të kënduar nga Iris Sula dhe Samanta Qoshku.

Festivali i 56- të Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë ishte rikonfirmim i përkushtimit të Bashkisë Shkodër por edhe i QFK Shkodër, në mënyrë të veçantë të Mjeshtrit të Madh Kujtim Alija.