
UEFA ka marrë një vendim drastik për Skënderbeun për akuzat e trukimit të ndeshjeve, duke e dënuar me 10 vjet përjashtim nga Kupat e Europës dhe 1 milion euro gjobë. Report Tv mëson ekskluzivisht se vendimi prej 93 faqesh, është marrë nga Komisioni i Disiplinës në UEFA në datën 7 shkurt 2018, pikërisht në të njëjtën ditë kur Armand Duka u rizgjodh për një mandat të pestë në krye të FSHF.
Shtatë herë kampionët e Shqipërisë akuzohen për trukime ndeshjesh në kompetecionet europiane. Skënderbeu është ekipi shqiptar më i suksesshëm në vitet e fundit. Edhe për sezonin 2017-2018, Skënderbeu mori pjesë në fazën në grupe të Europa League. Mbeten për t’u parë hapat që do hedhin korçarët ndaj këtij vendimi të UEFA-s.
Skënderbeu ndërkohë është në Arbitrazh për titullin kampion të Superiores vitin e kaluar, që i është hequr nga FSHF dhe i ka kaluar Partizanit. Dy vite më parë, ekipi që fitoi shtatë herë radhazi kampionatin shqiptar të futbollit, u përjashtua nga Champions League me vendim të UEFA-s, duke mos marrë pjesë për një vit në Kupat e Europës.
VENDIMI
Në vendim shkruhet: Bazuar në konsideratat e sipërpërmendura, Inspetorët e Etikës dhe të Disiplinës kërkojnë nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë UEFQA-s që:
Të referojnë çështjen te Komisioni i Apelit në UEFA në lidhje me nenin 34(3) në Statutin e UEFA-s dhe nenit 29(3) në Statutin e UEFA-s dhe nenit 29(3) në Rregulloren e Disiplinës.
Në çdo event, kërkohet që organi kompetent disiplinor i UEFA-s:
Të deklarohet që KS Skënderbeu përjashtohet nga pjesëmarrja në veprimtaritë për klube të UEFA-s për 10 (dhjetë) vjet.
Të vendosë një gjobë prej 1,000,000 ndaj KS Skënderbeut.
Inspektorët e mëposhtëm të Etikës dhe Disiplinës rezervojnë të drejtat e tyre ta pasurojnë ose ta amendojnë këtë raport në rast se paraqiten informacione apo prova të mëtejshme.






