Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka bërë gjithçka për ta zhbërë Shkodrën si njësinë më të madhe administrative në Veri.
Komentet Meta i bëri gjatë një takimi me strukturat e forcës së tij politike në Shkodër, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki.
Meta tha se në 6 marsin e vitit të kaluar Shkodra u rrethua nga të gjitha anët dhe arriti të rezistonte, ndërsa në 14 maj, sipas tij, fitorja e opozitës në qarkun e Shkodrës do të jetë 5-0.
“Bashkë do të fitojmë në mënyrë spektakolare në 14 maj. Në 6 mars, Shkodra e rrethuar nga të gjitha anët, nuk u dorëzua. Në 14 maj e gjithë Shqipëria do të bëhet Shkodër. Vij këtu me bindje të plotë se edhe në Malësinë e Madhe Isa Rama do të jetë kryetari i ardhshëm i bashkisë.
Aleati ynë Austria, ka thënë “nuk ka Shqipëri pa Shkodrën” dhe i vendosi ultimatum Malit të zi, Serbisë. Ne po i vëmë ultimatum “Rilindjes”, e cila as që do të afrohet në Shkodër. Rilindja ka bërë gjithçka për ta zhbërë Shkodrën si njësinë më të madhe administrative në veri. A e përfytyronte njeri që Shkodra sot të mos ketë drejtori arsimi? Në Shkodër kanë ardhur edhe nga Kosova për t’u shkolluar, sot nuk ka drejtori arsimi. Këtë e bëri Edi Rama dhe rilindja e tij.
Shkodra që është ujëmbledhësi më i madh jo në Ballkan, por ndoshta edhe ne Europë, ska as drejtori të ujërave, as bordin e kullimit. Shkodra të mos ketë drejtori arkivi. Shkodra që ka gjithë atë vijë jo vetëm liqenore, por edhe bregdetare, ska drejtori. Shkodra nuk ka Gjykatë Apeli më. Kjo është e programuar, për ta ulur peshën administrative dhe politike të Shkodrës. Shkodra e Gurakuqit, ju e dini shumë mirë sesi ka vajtur raporti në universitet. 1/3 e studentëve janë sot në krahasim para 10 viteve. Kjo do të ndalet në 14 maj me votën tuaj. E kanë halë në sy Shkodrën se është rebele. Shkodra ka dhuruar jetën e djemve më të mirë, siç janë ata të 2 prillit që u përkujtuan.
Shkodrën e ruajti zoti në 6 mars dhe në 2019. Sepse Shkodra për besimin ka sakrifikuar shumë. Do të kishte falimentuar edhe Bashkia e Shkodrës. Siç ka falimentuar Bashkia e Kavajës, ajo e Vorës. Kështu që Shkodra do ta japë mesazhin e saj si kampione e demokracisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, duke votuar për Bardh Spahinë. Rinia e Shkodrës e ka vendin këtu. Gëzohem që shikoj kaq të rinj e të reja këtu. Jam i bindur që do të kemi një fitore dërrmuese ndaj këtij sekti anti-kombëtar”, u shpreh Meta.