Sali Berisha: Për blerjen e votës, mbi 20 mijë qytetarë u shtuan në listën e ndihmës ekonomike në mbarë vendin dhe mbi 10 mijë të tjerë u paguan si punonjës të përkohshëm pa kontratë. Vetëm në Peshkopi u disbursuan 400 milionë lekë për individë me aftësi ndryshe.
Fondi i ndihmës ekonomike dhe pagesat për aftësi ndryshe u rritën në këtë fushatë me 900 mln lekë në krahasim me vitin e kaluar. Nga të gjitha këto shuma të marra së bashku, rezultuan se përfituan rreth 850 mijë qytetarë me të drejtë vote, me qëllimin e vetëm të blerjes së votës.
Përveç këtyre fondeve, u përdorën edhe forma të tjera antiligjore si subvencione, prokurime, tendera për të blerë votën e shqiptarëve. Të gjitha këto në kundërshtim me Kartën e Kopenhagenit, Kodin Zgjedhor, etj.
Me qëllim të blerjes së votës, kryetari në ikje i Vaut të Dejës, subvencionoi 400 mln lekë për një kompani, akt që e ka tagër vetëm Këshilli i Ministrave dhe bazuar vetëm në ligjin e ndihmës shtetërore.
Por nuk ishin vetëm këto shuma të taksapaguesve për blerjen e votës. Kodi Zgjedhor ndalon prokurimet publike dhe koncesionet në vend, por gjatë farsës elektorale 2023 u bënë qindra tendera me një vlerë 6 miliardë lekë dhe u dhanë disa investime strategjike.
Përveç këtyre, mbi 4 miliardë lekë u tenderuan për ndërtimin e banesave nga tërmeti. U konstatuan qindra raste investimi me zhavorr elektoral, duke kulmuar në Tiranë.
Të gjitha këto shuma të shpërndara për të blerë haptas votën, janë vetëm maja e ajsbergut e shumës së shpërndarë nën dorë në tregun e zi të votës me destinacion direkt blerjen e të drejtës së votës. Në këtë rast kriminelët elektoralë paguajnë qytetarin që të mos ushtrojë të drejtën e votës. Në rastin tjetër ata paguajnë qytetarin për të votuar kandidatin socialist.
Në tregun e zi, shuma e blerjes së votës arriti nga 300 deri në 500 euro. Cila është kjo shumë totale që u përdor për të blerë votën e shqiptarëve? Është shumë e vështirë të gjendet, por ndoshta kurrë nuk mësohet.
Ajo që dihet është se euro arriti nivele të ulëta këmbimi me lekun. Burimet kompetentë na thonë se një rënie e tillë e euros mund ta provokojnë vetëm hedhja e qindra milionë eurove në një kohë të shkurtër për këmbim.
Rritja e euros fill pas përfundimit të zgjedhjeve, hodhi poshtë pretendimin se rënia lidhej me sezonin turistik. Kulmin e ka arritur në Shkodër.
Shikoni fenomenin Doshi. Ky është fenomeni Dushku i vitit 2023.
Pra, këto zgjedhje ishin të blera dhe për blerjen e tyre u përdorën qindra milionë euro nga taksat e shqiptarëve. Ndërkohë që opozita dhe jo pseudopozita nuk ka paguar një qindarkë nga xhepi. Këto zgjedhje janë të blera sepse narkoeurot u bënë diktuesit kryesorë të rezultatit.
Ata që besojnë se kjo blerje masive e votës mund të kapërcehet me frymë, mashtrojnë veten. Ata besojnë se Edi Rama bën zgjedhje të lira dhe pranon rotacionin. Detyrimi për të mbrojtur votën e lirë të shqiptarëve më shtyn të flas para jush: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira.
Në këto zgjedhje, më shumë se në çdo zgjedhje tjetër në 32 vite, e gjithë qeveria qendrore, e gjithë qeveria vendore, u shndërruan në një makineri mafioze elektorale.
Përballë garonin 61 kandidatë, në 61 bashki të vendit, të cilët u votuan nga 510 mijë qytetarë dhe patën zero financime nga financat publike të narkoshtetit shqiptar.
Ata të cilët injorojnë këtë realitet, si realitet të papajtueshëm me çdo standard të votës së lirë, ata janë anëtarë të mafies së narkoshtetit ose kanë probleme me veten e tyre.
Unë do mbroj votën e lirë!
Për rikujtesë, pas ardhjes në pushtet në vitin 2005, në zgjedhjet e vitit 2009, firmosa një vendim ku ndaloja të gjithë zyrtarët, përfshi kryeministrin, që të përdorin për fushatë mjete apo burime zyrtare. Ambasadorja Glover kryesonte vëzhgimin e zgjedhjeve të vitit 2009. Ajo shkruan se ky urdhër i kryeministrit u zbatua plotësisht.
Unë në vazhdim do ju njoh ju me të gjithë aspektet e tjera të kësaj farse kriminale të paprecedent. Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka dhe këtë çdo shqiptar që dëshiron ose beson se shteti ligjor, se ekonomia e tregut, se e ardhmja garantohen vetëm me votën e lirë, duhet të bëjë gjithçka për të larguar këtë armik të votës së shqiptarëve.
Duke thënë këto, garantoj çdo demokrat dhe çdo qytetar, se analiza e të gjithë veprimtarisë elektorale të PD-së do të jetë një analizë e plotë, e thelluar, pa asnjë hezitim, në përputhje me të gjitha normat që kemi. /ZYRA E SHTYPIT DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE/