“U ndalua për verifikim…”, ministrja e Jashtme e Kosovës konfirmon ndalimin e veteranit të UÇK-së në Shqipëri

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stbulla deklaron se veterani i UÇK-së Murtez Kastrati është ndaluar nga policia shqiptare, ashtu sikur denoncoi kreu i veteranëve, por është liruar pas verifikimit që i është bërë. Haradinaj-Stbulla thotë se ka pasur një komunikim për rastin me ministrin e jashtëm në detyrë Gent Cakaj.

“Me të lexuar njoftimin nga z. Hysni Gucati, rreth ndalimit të ish- luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murtez Kastratit, kam kontaktuar menjëherë homologun shqiptar z.Gent Cakaj, i cili ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që z. Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh.


Është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për kinse ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, ndërsa posa mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës.

Kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it duhet të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës. Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bashkëpunim të ngushtë me homologun Cakaj, do të veprojmë konform kompetencave tona ligjore e kombëtare, që të mos lejojmë turpërimin e maltretimin e shqiptarëve para kërkesave të tilla jolegjitime dhe joligjore të Serbisë.

Përkrahja e vlerave të UÇK-së dhe pastërtisë së saj, nuk është vetëm çështje deklaratash” shkruan ministrja e Jashtme e Kosovës.

 ABCOM ║ VODAFONE