U arrestua për abuzime me tenderat publikë, ja kur del para Gjykatës së Apelit ish- drejtori i përgjithshëm i RTSH- së…

Në datë 29 tetor është vendosur seanca në Gjykatën e Posaçme të Apelit për ish-drejtorin e RTSH Thoma Gëllçi, i cili kërkon ndryshim të masës së sigurisë.

Ish-drejtori i RTSH-së u arrestua më datë 8 tetor teksa Gjykata e Posaçme e la në burg më 11 tetor ashtu si tre ish-vartësit e tij, anëtarë të komisionit të ofertave Ervin Muraj, Julian Tapia, Alban Malaveci të akuzuar për abuzim me tenderat.


Sipas SPAK ai ka shpallur procedurën e tenderit përpara se të merrte miratimin nga AMA për hapjen e kanalit TVSH AGRO. Tenderi është zhvilluar në 2018, dhe procedura është shpallur 3 vite përpara se TVSH Agro të fillonte transmetimi. Në 2021 TVSH Agro ka dalë në prova teknike. Përmes tenderit janë blerë pajisjet dhe janë përdorur ndërkohë.

Në tenderin për blerjen e pajisjeve si kamera etj, kanë qenë dy kompani EURO contact dhe TBS 96. Anëtarët e KVO janë shpallur TBS 96 fituese edhe pse kishte ofertë 20 mln lekë më të lartë. Të dyja kompanitë kane pasur parregullsi në dokumentacion dhe duheshin skualifikuar.

Gëllçi dhe tre vartësit e tij janë arrestuar, pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, dhe përkatësisht për tenderin që kap vlerën e 86 milionë lekëve pa TVSH.

Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se shkeljet janë kryer në tenderin me procedurë të hapur, ku personat e arrestuar rezulton se kanë favorizuar dhe nuk kanë bërë një garë të drejtë.