
Mbrëmjen e kësaj të diele, është përplasur nga një makinë në Shkodër, Nexhmedin Shabani, humorist i njohur popullor. Ai po lëvizte me biçikletë pranë zonës së njohur si “Dollari” në Shkodër.
Ai është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe është në repartin e reanimacionit nën kujdesin e mjekëve. Burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije për ShkodraWeb se Nexho ka dëmtime në pjesën e këmbëve ndërsa në kokë ka hemoragji. Lajm pozitiv është se ai është koshient.
Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar në rrjetet sociale edhe kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci, i cili në rrjetet e tij sociale, shkruan: “Sonte, Nexho Shabani – Nexhoja i tavolinave, njeriu popullor që sillte humorin tipik shkodran kudo ku ulej ka nevojë për lutjet tona. Pas një aksidenti të rëndë, gjendja e tij shëndetësore është e paqëndrueshme, ndërsa mjekët e Spitalit Rajonal të Shkodrës janë të angazhuar maksimalisht. Le t’i jemi pranë me mendim të mirë dhe shpresë.”.
Urojmë që sa më shpejt, Nexho të kalojë këtë moment të vështirë dhe të rikthehet ashtu siç e njohim të gjithë, për humorin, batutat e barcaletat e tij.




