
Arrestohet në Ankara profesori 32 vjeçar nga Cërriku. Mariglen Debrova dhe bashkëshortja e tij janë vënë në pranga para disa ditës. Por mister mbetet fati i fëmijës.
Lajmi ka tronditur familjarët të cilët janë të shqetësuar për çiftin dhe fëmijën. Mariglen Debrova jetonte prej 10 vjetësh së bashku me familjen e tij të re në Ankara. Burime për Report tv bënë me dije se 32 vjeçari ishte duke vazhduar doktorraturën për teologji në qytetin Samsun pranë Ankarasë në Turqi. Ai ka mbaruar studimet në Egjipt dhe është transferuar në Turqi ku jetonte me familjen e tij prej shumë vitesh.
Familja kërkon ndihmën e autoriteteve shqiptare, ministrisë së Drejtësisë për të mësuar mbi arrestimin e tij dhe po kështu ndërhyrjen e tyre për të zgjidhur çështjen. Ata e cilësojnë të paligjshëm arrestimin e të riut dhe bashkëshortes së tij. Gjithashtu kërkohet ndërhyrja e menjëherëshme për fëmijën pasi ende nuk ka një informacion ku është vendosur dhe kush po kujdeset për të.
Sipas burimeve profesori është arrestuar nën akuzën si bashkëpunëtor i Gylenit, por kjo mbetet për tu provuar. Disa ditë më parë një tjetër profesor nga Cërriku u ndalua në Malajzi, por më pas u la i lirë./shqiptarja/