Turqia prezantoi sot një paketë lehtësuese në vlerë prej 100 miliardë lirash turke (15,4 miliardë dollarë) për të kufizuar pasojat ekonomike nga epidemia, raporton Anadolu Agency (AA). Sot pas një takimi qeveritar në Ankara, presidenti Recep Tayyip Erdoğan njoftoi paketën, e cila përfshin shtyrjen e afatit të pagesës së borxheve dhe uljen e taksave nëpër sektorë të ndryshëm.
“Tatimi i vlerës së shtuar (TVSH) në fluturimet ajrore vendase është ulur në 1 për qind nga 18 për qind për një periudhë prej tre muajsh”, tha Erdoğan.
Po ashtu, pagesa e kredisë për firmat që po përballen me ndërprerje të rrjedhjes së parave për shkak të pandemisë do të shtyhen për tre muaj, shtoi ai.
“Ne do të ofrojmë mbështetje shtesë për ato kompani kur të jetë e nevojshme”, tha presidenti turk.
“Në mënyrë që të ruhen nivelet e shfrytëzimit të kapaciteteve, qeveria ka vendosur të zgjasë mbështetjen financiare për eksportuesit”, shtoi Erdoğan.
Në kuadër të paketës, vendi gjithashtu dyfishoi limitin e fondit të garancisë së kredisë në 50 miliardë lira turke (7,7 miliardë dollarë), nga 25 miliardë lira (3,35 miliardë dollarë).
Ai u kërkoi punëdhënësve që të inkurajojnë modelet fleksibile dhe të punës nga distanca për të frenuar përhapjen e virusit.
Ndërkohë sot, Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca, njoftoi humbjen e dytë të jetëve njerëzore nga virusi i ri në vend dhe rritjen e rasteve të të prekurve në 191, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Humbëm një pacient 61-vjeçar të gjinisë mashkull. Lus Allahun ta mëshirojë”, tha Koca në një postim në Twitter.
Ai njoftoi se janë konfirmuar 93 raste të reja, me çka numri i përgjithshëm i rasteve arrin në 191.