Nga Senad NIKSHIQI
Tritol makinës së zyrtarit të Policisë Kufitare në Shkodër. Gjithçka dyshohet se është një paralajmërim për zyrtarin e Policisë së Shtetit. Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Shkodër. Rreth orës 05:00 të ditës së diel, automjeti i Admir Lishit u hodh në erë me një sasi të vogël tritoli. Lëndë plasëse ishte vendosur në pjesën e prapme të mjetit tip “Mercedez Benz”, me targë AA 655 MK.
Mjeti ishte parkuar në lagjen “Parshe”, ku edhe banon punonjësi i Policisë. Burime pranë vendit të ngjarjes bëjnë me dije se lënda plasëse që u vendos në mjetin e 40-vjeçarit Lishi ka shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në momentin e shpërthimit, në makinë nuk ndodhej askush. Nga sa mësohet, Admir Lishi ka një detyrë të rëndësishme në Policinë e Shkodrës. Ai mban postin e shefit ekonomik në Drejtorinë e Kufirit dhe është efektiv mbështetës në prapavijë.
Ende nuk janë të qarta arsyet e vendosjes së lëndës plasëse, ndërsa si pistë kryesore hetimore dyshohet se gjithçka ka ardhur për shkak të detyrës. Mendohet se shpërthimi mund të ketë qenë një sinjal ndaj 40-vjeçarit për shkak se sasia e vendosur e lëndës plasëse ka qenë aq e vogël sa nuk i ka shkaktuar dëme të mëdha mjetit tip “Benz”. Megjithatë, nuk përjashtohet edhe ndonjë pistë tjetër.
Grupi hetimor ishte në vendngjarje dhe po heton për të zbardhur të plotë atë që ka ndodhur. Pak orë pas shpërthimit të lëndës plasëse në mjetin e tij, vetë efektivi i Policisë së Shkodrës ka deklaruar se nuk ka asnjë dyshim se kush mund ta ketë kryer këtë akt. Admir Lishi, shef i sektorit ekonomik në Drejtorinë e Kufirit ka mohuar se ka pasur probleme apo konflikt me ndokënd.
Në deklarimet e para, Admir Lishi është shprehur për kolegët e tij të policisë se nuk e ka idenë se nga ka ardhur shpërthimi me lëndë plasëse në mjetin e tij. “Unë nuk e di se si ka ndodhur apo përse ka ndodhur. Nuk kam asnjë problem apo asnjë konflikt me askënd. Nuk e kam idenë nga ka ardhur kjo ngjarje apo se kush fshihet pas saj”, ka deklaruar Lishi. Policia pistë kryesore të momentit ka atë për shkak të detyrës.
Megjithatë, ende vazhdojnë hetimet dhe nuk përjashtohen që ngjarja të ketë ardhur për shkaqe, që nuk kanë të bëjnë me detyrën e punonjësit të policisë. Ashtu siç edhe nuk përjashtohet mundësia që autorët të kenë ngatërruar shënjestër. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri më tani ende nuk ka një person të dyshuar. Në momentin e shpërthimit makina ishte parkuar pranë një shkolle dhe Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së institucionit arsimor për të parë nëse ka pasur lëvizje të dyshimta, që mund të çojnë në zbulimin e autorit të vendosjes së lëndës plasëse.
Gjithashtu, janë sekuestruar dhe kamerat e bizneseve që ndodhën pranë vendit të ngjarjes për zbulimin e autorëve.