Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Shkodrës. Mësohet se ata po transportonin katër shtetas të huaj- maroken drejt Malit të Zi. Destinacioni i tyre final, duket se ishin vendet e BE-së. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, dy persona të tjerë janë proceduar dy shtetas po nga Shkodra. Gjatë të njëjtit aksion, janë gjetur edhe 8 shtetas pakistanez, të cilët kanë pranuar se kishin rënë dakort me shtetasit shqiptar që ti transportonin drejt Malit të Zi kundrejt pagesës 200 euro për person. Më poshtë, komunikata e Policisë Shkodër lidhur me ngjarjen.
Nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirëorganizuar, u bë i mundur finalizimi me sukses i aksionit të koduar “Transportuesit”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:
– P. Rr., 35 vjeç, banues në lagjen “Tre Herojtë” Shkodër, për veprat penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” në bashkëpunim, dhe “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.
– T. K., 32 vjeç, banues në lagjen “Skenderbeg” Shkodër, për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, në bashkëpunim.
Arrestimi i tyre u bë pasi në afersi të PKK Hani Hotit, shtetasi P. Rr. është kapur duke drejtuar pa leje mjetin e tij, me të cilin po transportonte 4 shtetas maroken drejt Malit të Zi, me destinacion vendet e BE-së. Gjithashtu te tregu i këpucëve në qëndër të qytetit Shkodër, janë gjetur 8 shtetas të huaj pakistanez, të cilët pranuan se kishin rënë dakort me këtë shtetas që kundrejt vlerës 200 euro, t’i transportonte në Malin e Zi, në bashkëpunim me shtetasin T. K., i cili punon tek tregu. Këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i fshihnin shtetasit e huaj në tregun ku punonte shtetasi T.K. dhe më pas i transportonin me mjete të ndryshme drejt Malit të Zi, nëpërmjet kufirit të gjelbër.
Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit G. L. 49 vjec, banues në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, pronari i tregut, për vepren penale, “Punësim i paligjshëm” dhe A. D. 52 vjeç, banues në fshatin Dobraç Shkodër, i punësuar si rojë i tregut, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.