“Transformohet” Vllaznia, Mirsad Jonuz planifikon direkt si titullarë Adilin e Hristovin, ja si rreshtohen kuqeblutë

Vllaznia po projekton një “mikro revolucion”. Largimi i tre lojtarëve të huaj (Emerson, Uenderson dhe Ristevski) dhe afrimi i rinjve (Adili, Hristov dhe Sidorenko) ka shtuar dilemat për Mirsad Jonuzin. Jo vetëm në rreshtim, por edhe në emra. Mjafton të shohësh dy miqësoret e zhvilluara deri më tani për të kuptuar se trajneri po planifikon ndryshime në 11-she.


Nëse përforcimet e janarit rezultojnë aq cilësore sa kuqeblutë presin, ata pretendojnë që të kthehen të frikshëm, duke nisur nga java e 18-të. Ndoshta janë vetëm eksperimente, e megjithatë dukshëm vërehet transformimi i ekipit. Në fakt, edhe në 17 javët e luajtura, tekniku maqedonas nuk ka qenë fort stabël në zgjedhjet e tij. Asnjë vendosje nuk i ngjante tjetrës nga ndeshja në ndeshje, megjithatë tani mendon se ka gjetur lojtarët e duhur për të fiksuar një formacion “tip”.

Me mungesën e sigurt të Ardit Krymit (për shkak të 4 kartonëve të verdhë), trajneri po mendon që t’i besojë Gurishtës në mesfushë. Nëse jemi mësuar që Gligorov dhe Marku shpesh luanin ku kishte nevojë ekipi, tashmë edhe shkodrani do të konvertohet në një “xhol”. Të njëjtën gjë e ka provuar edhe kundër Kukësit, por e ka testuar disa herë edhe në seancat stërvitorë në Ohër. Mbrojtja ka të ngjarë që të kthehet me tre. Shehi dhe Malota do të kenë edhe Adilin në këtë repart, ndërsa Gligorov e Marku do të kthehen hera-herës në ndihmë të defensivës.vllaznia

Me mesfushën me katër, në qendër, veç Gurishtës do të luajë edhe Ramadani. Ndonëse mungon prej gati një muaji, maqedonasi po i bën llogaritë me Hygorin si titullar kundër Flamurtarit. Në klub thonë që do të kthehet shpejt, por nëse ndodh ndonjë tjetër surprizë, është në gatishmëri Shtubina. Sulmi po projektohet me dy, ndërsa në krah të kapitenit Lika do të luajë Hristov. Por, nëse moldavi Sidoreko përshtatet shpejt me grupin, nuk përjashtohet mundësia që të luajë ai në ofensivë. Skema nga 4-3-3 kthehet në 3-4-1-2. Të paktën kjo është një ide, pasi gjithçka mund të ndryshojë deri më 21 janar, kur luhet e 18-ta javë për Kategorinë Superiore.

Hristov dhe Sidorenko janë konfirmuar si blerje, megjithatë me t’u kthyer në Shkodër, do të firmosin. Sapo të kryhet kjo procedurë e rëndësishme, klubi mund t’i federojë dhe Mirsad Jonuz do t’i ketë zyrtarisht nën urdhra për pjesën e dytë të sezonit. /Nga Admir URUÇI/