
Rolando Maran debutoi me humbje te Kombëtarja shqiptare. Kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin 0-1 nga Izraeli në stadiumin “Air Albania”. Golin e vetëm të miqësores e shënoi Oskar Gloukh në minutën e 73-të.
Maran mund të ngushëllohet me faktin që dy trajnerë që shkruan historinë me Shqipërinë, po ashtu debutuan me humbje. Fillimisht Xhani De Biazi, që njihet edhe si mik i Maran, ishte në stol për një miqësore në ndeshjen e parë.
Shqipëria u mposht në transfertën e Gjeorgjisë me rezultatin 2-1. Ishte shkurti i vitit 2012. De Biazi më pas u bë trajneri i parë që dërgoi Shqipërinë në një kompeticion si Europiani.
Trajneri i dytë që u bë pjesë e historisë me kuqezinjtë ishte Silvinjo. Tekniku brazilian po ashtu debutoi me humbje, ndërsa Kombëtarja humbi 1 me 0 në transfertën e Polonisë. Ishte marsi i vitit 2023. Silvinjo jo vetëm shkoi në grupet e një Europiani, por edhe udhëhoqi Shqipërinë në “play off” të Botërorit.




