Pas fitores me përmbysje 3-2 ndaj Maltës, trajneri i ekipit Shpresa, Alban Bushi, në një intervistë për Super Sport pas ndeshjes vuri theksin te minutat e pakta që kanë lojtarët e tij në këmbë, si dhe tek fakti që luajnë për herë të parë me njëri-tjetrin.
MBROJTJA – “Mbrojtja ka ende disa probleme që duhen zgjidhur. Çunat janë të rinj, dhe pa shumë minuta. Kemi ende punë për të bërë në atë repart.”
SULMI – “Patjetër që sulmi është arma jonë kryesore, më e fortë. Jam munduar që të udhëzoj lotjarët të kapim kundërshtarin në befasi. Jam i gëzuar për Hebajn, para ndeshjes i thashë që është mundësia jote, për të marrë maksimumin si sulmues, për të shënuar.
Jam i kënaqur nga lojtarët në përgjithësi, edhe pse ka nga ata që duhet të japin më shumë. Lojtarë që nuk luajnë në ekipet e tyre, luajnë shumë pak, dhe nëse nuk luajnë, ka problem te Shpresat, pasi kundërshtarët kanë 90 minuta në këmbë. Është hera e parë që luajnë me njëri-tjetrin, do kenë edhe probleme, por jam i kënaqur.”
GRUPI I LOJTARËVE – “Ne lojtarët i kemi, fatmirësisht, si Ademi, Vrioni, Mihaj, që janë në ekipin e parë. Nëse ata lojtarë të tre nuk do vijnë, kemi edhe të tjerë. Do mundohemi të krijojmë një grup të mirë, të mësojnë të luajnë futboll, që të jenë të përgatitur kur të shkojnë te ekipi i parë. Se hëngrëm një gol, se hëngrëm dy, nuk ka rëndësi. Duhet që të marrin eksperiencë.”.