Tre ditë pas funeralit të babait, për shkak të infektimit me COVID-19 ka ndërruar jetë edhe 29 vjeçari nga Lipjani. Ai thuhet se kishte edhe probleme tjera shëndetësore, derisa bashkë me babain e tij kishin rezultuar pozitiv me COVID-19, raporton Gazeta Express.
10 persona kanë humbur betejën në 24 orët e fundit si pasojë e virusit COVID-19 në Kosovë, derisa edhe 311 raste të reja të infektuara me këtë virus janë regjistruar në vend, raporton Gazeta Express.
Në mesin e viktimave ka qenë edhe një 29 vjeçar nga Lipjani. Ai kishte pasur edhe probleme tjera shëndetësore ndërsa virusi ia kishte vështirësuar edhe më shumë gjendjen. Po nga ky virus, atij së fundmi i kishte ndërruar jetë edhe babai.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi, ka thënë për Express se 29 vjeçari nga Lipjani është varrosur sot. Ai ka treguar se para 3 ditësh për shkak të COVID-19, kishte vdekur edhe babai i viktimës. Krasniqi ka thënë se 29 vjeçari ka pasur edhe probleme të tjera shoqëruese
“Zyrtarisht ne nuk kemi informacione për viktimat. Por 29 vjeçari ka vdekur dhe është varrosur sot. Ai ka qenë duke u trajtuar, ndërsa para 3 ditëve ka vdekur edhe babai i tij. Edhe ai ishte i infektuar”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të fundit janë raportuar 10 raste të humbjes së jetës me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet janë nga komunat: Lipjan 2 raste (29, 76 vjeç), Skenderaj 2 raste (78, 61 vjeç), Dragash 1 rast (82 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (85 vjeç), Malishevë 1 rast (78 vjeç), Pejë 1 rast (61 vjeç), Prizren 1 rast (74 vjeç), Suharekë 1 rast (67 vjeç).