
Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli në një intervistë në Report Tv, komenton zhvillimet në kampin opozitar, ndërsa zbulon edhe projektet e saj.
Topalli, një nga figurat kryesore të së djathtës, thotë se vendi është pa qeveri dhe opozitë, ndërsa sipas saj Basha dhe Rama, vijojnë bashkëpunimin mes tyre, në bazë të marrëveshjes së 18 majit.
“Gjatë kësaj periudhe kemi parë të gjithë që Basha është bërë bedel i qeverisë dhe ortak i oligarkëve. Mjafton të kujtojmë pjesë nga seancat parlamentare të muajve të kaluar kur kryeministri i kërkon Bashës të flasë për emrat e oligarkëve dhe i përmend me emër dhe ky ul kokën dhe nuk guxon të thotë një fjalë. Në këto kushte kur opozita kontrollohet nga qeveria për shkak të korruptimit dhe arsyeve te tjera të lidershipit te saj i bie që vendi ynë është në buzë të greminës se kështu bie demokracia dhe nuk ekziston më asnjë garanci për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
E pyetur nëse do i rikthehet politikës, Topalli u shpreh se asnjëherë nuk do rrijë indiferente ndaj zhvillimeve.
“Kjo nuk ka rëndësi, unë nuk do rri indiferente për zhvillimet e parlamentit dhe politikës shqiptare”- është shprehur ish-kryetarja e Kuvendit. Sakaq, bëri akuza të forta kundrejt Ramës dhe Bashës, duke i akuzuar si të implikuar në krim dhe korrupsion.
“Për Shqipërinë vendosin 4 persona, dhe ka dy mundësi: ose forcat politike të bëjnë reformë brenda tyre, ose të rrëzohet kjo klasë politike”- shtoi më tej Topalli.