Me të drejtë, ka ngjallur ndjeshmëri të lartë propozimi e nda sot vendimi i Këshillit Bashkiak të Hasit për të nderuar Gafurr Mazrekun (pas vdekjes) me titullin “Qytetar Nderi”.
Hasi është bashki më vete, por normalisht është pjesë e Shqipërisë dhe nënshtrohet ligjeve dhe rregullave të Shtetit. Rezulton se i ndjeri Gafurr Mazreku, ka ndërruar jetë në 2005-ën nga infarkti duke mos u shpallur i pafajshëm pasi doli nga burgu për plagosjen me pistoletë të Azem Hajdarit me 18 shtator 1997 në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, rezulton se Azem Hajdari përveç se “Qytetar Nderi” i të gjitha Bashkive e Komunave edhe të majta në vend, mban titullin më të lartë që mund të japë Republika, “Nderi i Kombit”.
Pavarësisht se ndokujt nuk mund ti pëlqejë sot, Azem Hajdari edhe ligjërisht, është simbol i kombit përderisa mban titullin më të lartë nga Presidenti i Republikës. E në aspektin njerëzor dhe civil, Hajradi ka merita të spikatura edhe për “Lëvizjen e Dhjetorit 1990” por edhe periudhën e atij aktive në politikë deri sa u vra me 12 shtator 1998, thuajse një vit nga plagosja prej Gafurr Mazrekut në parlament.
Shqëtësimi për gjithçka më sipër, tingëllon më shumë se absurd në fakt. Po shqetësohemi për vendimin e lajthitur kolegjial të 13 burrave nga një nahije e vendit por kemi gati 30 vite që nuk marrim guximin të zhveshim nga dekoratat e larta shtetërore Enver Hoxhën. Të majtë e të djathtë kanë rënë dakort këto 3 dekada se ku më shumë e ku më pak, e ktheu vendin në diktaturën më të egër në Europën Lindore, nën shembullin e gulagëve të Stalinit. Mirëpo, nuk ka akoma një rezolutë të Kuvendit që e zyrtarizon si diktator për të qartësuar pozicionin e tij në raport me historinë me të cilën po abuzohet dhe, ajo çfarë çshtë më flagrantja, vazhdon të mbajë dhjetra urdhra e medalje nga shteti shqiptar.
Personalisht nuk dyshoj se në këtë mes, ka diçka që nuk shkon. Para disa javëve në Shqipëri mbërriti Izet Haxhia, i cili është i dënuar si pjesëmarrës në vrasjen e Azem Hajdarit. Pa ardhur këtu, ai ka bërë mjaft deklarata e intervista ku lehtësisht konstatohet se Azem Hajdari dhe Sali Berisha shenjestrohen negativisht. Por a mund të ketë lidhje edhe dekorimi i atentatorit të Hajdarit? Është shumë e vështirë të gjenden argumenta për të dhënë një përgjigje mohuese për pyetjen.
Nëse është e vertetë se kryeministri i vendit Edi Rama ka shprehur shqetësim për vendimin e marrë nga Këshilli Bashkiak i Hasit, është një sinjal vertetë pozitiv. Nëse nostalgjikët vazhdojnë të dalin për Enver Hoxhën me parrulla e pankarta, është e vështirë të pengohen nisur të paktën nga mosha e tyre e thyer. Por një vendim i lajthirur i një institucioni publik vendor, nuk duhet të kalojë lehtësisht. Pengesa e parë është prefekti i Qarkut Kukës, që nëse nuk gaboj përfshin edhe Hasin. Nëse pasi ai ta kthejë (nëse vendos ta kthejë kuptohet) Këshilli Bashkiak i Hasit e rimiraton, ky institucion nuk duhet atakuar për vendimin në gjykatë, siç e thotë ligji. Edi Rama me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në Kushtetutë, duhet ta shkrijë automatikisht këtë Këshill Bashkiak të lajthitur masivisht. /Shënim i ShkodraWeb/