Përballjen direkte mes kryesuesve e fiton Tirana, që mposht 3-2 Teutën në “Elbasan Arena” dhe shkëputet e vetme në krye të renditjes, në kuotën e 11 pikëve, tre më tepër se durrsakët dhe Kukësi që e ndjekin.
Bardheblutë ia dalin të marrin tre pikë në një sfidë mjaft të komplikuar, pasi trajneri Shehi e nisi ndeshjen pa disa prej titullarëve, që ishin rikuperuar rishtazi nga koronavirusi, megjithatë ata që zbritën në fushë, justifikuan besimin.
Xhixha hapi festivalin e golave dhe madje mund të kishte shënuar shumë më tepër se një gol, nëse do të ishte treguar më gjak-ftohtë para portës, ndërsa Teuta rigjen baraspeshën me Ivanovic,pas një goditjeje standarde, të cilat durrsakët i kanë specialitet.
Në pjesën e dytë bëri gjithçka Tirana, që fillimisht shënoi në portën e saj me Najdovskin dhe më pas dy herë në atë të Pano Qirkos, me anë të Totre dhe Vesel Limajt, i cili nxori nga repertori një nga golat më spektakolarë, për t’u dhënë tre pikë bardhebluve.
TEUTA-TIRANA 2-3
16′ Ivanoviç, 49′ (ag) Najdovski / 1’ Xhixha, 51′ Totre, 64′ Limaj
Ndlërkohë, nuk ka fitues në “Air Albania”, me Partizanin e Kukësin që ndajnë nga një pikë falë barazimit 1-1 në një përballje ku të dy skuadrat shfaqën më shumë frikë për të mos humbur, sesa guxim për të marrë tre pikët, gjë që reflektohej edhe nga rastet e pakta të shënimit, e gabimet e shumta në mesfushë.
Pjesa e parë u karakterizua nga problemet teknike, ku fillimisht u raportua një problem në sistemin VAR dhe për disa minuta loja vijoi pa të, ndërsa më pas pati edhe një ndërprerje 3-minutëshe për shkak të fikjes së prozhektorëve të stadiumit, megjithatë skuadrat u rikthyen në dhomat e zhveshjes në barazim pa gola.
Edhe pjesa e dytë pati ritëm të lartë, por shumë gabime dhe pak raste shënimi, me përjashtim të një 5-minutëshi “të çmendur” ku Partizani gjeti avantazhin dhe flirtoi me të dytin, ndërsa më pas Kukësi barazoi pas një kundërsulmi perfekt me brazilianin Feijao, që ashtu si ndaj Teutës dy javë më parë, festoi sërish me simbolin shqiptar të Shqiponjës, duke konfirmuar përshtatjen perfekte në vendin tonë.
Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi rezultatin 1-1, me Partizanin që do të duhet të presë ende për të shijuar fitoren e parë dhe Kukësin që lë paskrahëve humbjen ndaj Teutës, për t’u ngjitur në kuotën e 8 pikëve.
PARTIZANI-KUKËSI 1-1
Cara 65’/ Feijao 70′