Kur e mori drejtimin e skuadrës së Vllaznisë trajneri Mirsad Jonuz, në Shkodër shumë pak besonin se skuadra në këto javë të para të sezonit do të kishte ecuri mjaft të mirë. Pa thënë se më shumë se gjysma e skuadrës janë kontigjent i ri, i ardhur rishtaz në verë.
Te Vllaznia kanë nisur që të shtojnë “oreksin”, e madje këtë sezon duan që të kapin një vend në Kupat e Europës. Të paktën, ky është objektivi i deklaruar deri më tani nga zyrtarët dhe drejtuesit e klubit shkodran.
Në një prononcim për “Rtshsport”, trajneri Mirsad Jonuz ka folur në prag të sfidës me Partizanin, ku thekson se: “Dua që të falënderoj të gjithë lojtarët, pasi të 12-ta pikët i kanë të fituara me meritë. Për mua janë rezultate normale dhe po të shohësh renditjen, të gjitha skuadrat janë shumë afër me pikë, me nga një dhe dy pikë diferencë. Por, ky është vetëm fillimi, na duhet shumë punë sepse na presin ndeshje shumë të vështira, duke filluar që nga ndeshja e kësaj fundjave me Partiznain, e pastaj me Flamurtarin, – tha trajneri Jonuz.
Partizani
“Jemi në situatë fizike shumë të mirë dhe kjo është e rëndësishme. Nga lojtarët dua që të rrijnë me “këmbë në tokë”. Të vazhdojmë punën sepse pikët janë të njëjta si me Bylisin, Partizanin, Luftëtarin e këdo tjetër nga kundërshtarët që ne luajmë. Duhet që të punojmë vazhdimisht dhe të jemi një ekip kompakt në çdo ndeshje. E kam thënë edhe më përpara se ana psikologjike na ndihmon shumë”.
Ecuria
“Kemi marrë pikë goxha dhe kemi bërë lojëra të bukura, Tani në futbollin shqiptar e shohin Vllazninë me një sy tjetër, jo si një ekip që në fillim të garës apo në verë dukej se do të luante për mbijetesë.
Suksesi
“Sekreti i këtij suksesi është për shkak të përvojës që kam. Përpara ndeshjeve i shoh nga dy ose tre herë ndeshjet e kundërshtarëve. Natyrisht që më ndihmojnë shumë edhe bashkëpunëtorët apo pjesëtarët e stafit tim këtu në Shkodër, Osja dhe Lekiqi. Kjo është puna jonë, që të studiojmë kundërshtarin. Në vendin tonë thonë, ose bëje punën më së miri, ose mos e bëj fare”.
Tifozët
“Pres që të jenë në numër të madh, jo vetëm me Partizanin, por në të gjitha ndeshjet. Të gjithë jemi një familje, tifozët, ekipi dhe trajneri. Por kam një mesazh edhe për ata. Të mos gjuajnë më me shishe uji dhe të hedhin sende apo të bëjnë gjeste anti-sportive. Të mbështesin skuadrën dhe të gjithë të shpresojmë që të fitojmë”, – tha Mirsad Jonuz, trajneri i Vllaznisë në fund të prononcimit të tij.