Ilir Meta po verifikon. Edi Rama vlerëson procesin dhe shpreson. Monika Kryemadhi hesht thuajse njësoj si Lulzim Basha. Sandër Lleshi pret dekretimin si ministër i brendshëm “de jure” ndërsa është ulur në atë karrike “de facto” prej disa ditësh.
“Përballja e Titanëve” po kthehet në një “furtunë në gotë uji”. Meta dekretoi pas një viti Bendon e SHISH, edhe pse “de facto” ai është drejtor prej po kaq kohësh. Ilir Meta nxorri Vitore Tushën si kandidate për kryetare të KLSH-së, megjithë marrëdhëniet e mira të saj publike të paktën me Ulsi Manjën e PS-së. Edi Rama ridërgoi përsëri për dekretim Sandër Lleshin e refuzuar herën e parë nga Meta. Nuk duket shumë e vështirë të zbardhet situata në fushën e “shahut”. Por ndryshe nga rezultati që zakonisht kërkohet në fund të kësaj loje, palët këtë herë do të kënaqen me një “remi”.
Sipas gjasave, Basha e dinte se si do të përfundonte kjo ndeshje shahu. Prandaj la zgjedhur heshtjen. Natyrisht edhe Kryemadhi e dinte dhe nga 8 nëntori që falenderoi Fleckenstein, ajo nuk ndjehet. Sepse loja këtë herë ishte vetëm dyshe: president- kryeministër. Pra thjesht lojë influencash mbi pushtetet.
Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër lidhet me moralin 30- vjeçar të politikës: Tjetër themi, tjetër bëjmë! Po sikur të mos “thyhet” Meta? Ai ka dhënë prova që është kokëfortë. Po sikur Meta, me deklarimet e tij të sotme, të përpiqet të krijojë në opinion perceptimin se “ai po bën përpjekjet sipas përcaktimeve kushtetuese” për të ndryshuar bindjen për Sandër Lleshin por…sërish refuzon? Sikur pjesë e kësaj skeme të jetë edhe Edi Rama, i cili pasi vlerëson lëvizjet e presidentit, shton se deri të hënën nuk do të ketë më asnjë dyshimin për dekretimin e Lleshit?
Sa për gjeneral Sandër Lleshin, askush nuk e thotë por është një parim ndërkombëtar ai i kontrollit civil- politik në ministrinë e mbrojtjes dhe atë të brendshme. Kur në krye vendoset një ushtarak, a cënohet ky parim? Nuk duhet harruar edhe një fakt tjetër jo pak i rëndësishëm: 12 prefektët, përfaqësues të Ramës në qarqe, janë ushtarakë karriere në lirim por me grada…
Telenovela “Lleshi” pritet të marrë një zgjidhje deri të enjten. Nëse do të ketë votim në sencë plenare të Kuvend. Përndryshe, asgjë nuk është e sigurtë. Pavarësisht fasadës që mundohen të na prezantojnë Rama dhe Meta. Nuk duhet harruar se presidenti luan edhe për interesat afatgjata të opozitës. Të paktën të asaj pjese me të cilën ndan edhe shtratin çdo natë. /Shënim i ShkodraWeb/