Thanza, një histori e zakonshme (pa)drejtësie shqiptare!

Loading...

Ka qenë anëtar i të gjitha forumeve më të larta të drejtësisë shqiptare. Ka pasur një karrierë që do ta kishte pasur zili çdo student që mbaron studimet për magjistraturë dhe i drejtohet detyrës së vështirë të të bërit drejtësi. Megjithatë, 27 vjet pasi Admir Thanza ka nisur ngjitjen e pandalshme që do ta bënte anëtar të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe firmosës të disa prej proceseve më të bujshme gjyqësore të periudhës së tranzicionit shqiptar, mësojmë se kemi pasur në krye të piramidës së drejtësisë shqiptare një person që sot akuzohet se është dënuar për vjedhje në Itali, por edhe që ka fshehur pasurinë e që ka pasur kontakte me persona të krimit të organizuar.

Admir Thanza nuk ka qenë një “yll” i sistemit. Vështirë ta ketë dëgjuar dikush të flasë publikisht, apo të ekspozohet me emër dhe mbiemër. Ka qenë një ndër qindra gjyqtarët e prokurorët që i gjen sot të rreshtuar në dyert e Vetingut, në pritje për të marrë një çertifikatë pastërtire, e cila qysh sot, pas imazheve të përlotura të Thanzës, është më e frikshme dhe misterioze për ata që kanë aplikuar e që presin verdiktin e vilës në rrugën e Kavajës.

Sipas burimeve zyrtare të KPK, figura e Thanzës është gjykuar në të treja drejtimet që prek procedura e Vetingut: pasurinë, aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës. Ndoshta është vërtet ky rasti në fjalë, por duhet thënë se deri tani Vetingu është marrë më së shumti me shqyrtimin e kriterit pasuror të gjyqtarëve e prokurorëve. Pasi, që t’i hysh vendimeve të dyshimta e të diskutueshme që ata kanë marrë gjatë karrierës së tyre është një punë titanike dhe praktikisht e pamundur.

Paradigma e këtij gjyqtari të diplomuar në vitin 1992, e që përbën në mënyrën më emblematike, absurdin e dallgës së prurjeve të reja në sistemin tonë të drejtësisë pas rënies së komunizmit, na tregon sesa e rrejshme dhe hipokrite ka qenë reforma e 27 viteve më parë, për të hequr togën e zezë nga supet e drejtësisë komuniste. Karriera e Thanzës, një jurist që ka qëndruar larg prozhektorëve të medias dhe vëmendjes së publikut, e megjithatë ka qenë në mënyrë konstante në majën e piramidës së drejtësisë tonë, është metafora më therëse e e korruptimit e kalbjes së thellë që ka mbajtur peng drejtësinë tonë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit.

Në 27 vite zëvendësuam prokurorët e gjyqtarët që dënonin me vdekje djemtë e rinj që shkelnin brezin kufitar në përpjekje për të gjetur një jetë më të mirë, me një aradhë juristësh hileqarë, parellinj, të përdorur e të politizuar. Të cilët i bënë gropën të gjitha iluzioneve të pastra të një populli për të hapur një kapitull të ri të shtetit të së drejtës që gjykon me kutin e ligjit e jo me ryshfetin nën tryezë.

Admir Thanza deklaroi se kishte marrë mbi vete një vjedhje të nipit të tij në Itali. Pra ai pretendon se nuk e ka kryer krimin në vendin fqinj, për të cilin rezulton formalisht i dënuar. Nuk ka pse të mos e besojmë në parim këtë pohim të tij, i cili megjithatë nuk e shpëton dot nga pjesa tjetër e akuzës për të cilën ai po gjykohet nga paneli i Vetingut.

Shtëpitë, mishmashi i fitimeve financiare dhe kontaktet e pretenduara me persona të inkriminuar mjaftojnë për të qenë rrethana skualifikuese dhe të renda, për karrierën e një njeriu që është ulur në të gjitha postet më të larta që ofron sot sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Përfshirë gjykatën e Lartë, Kushtetuesen dhe KLD. E pastaj habitemi pse Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk pranon të dënojë prej muajsh e vitesh asnjë gjyqtar të akuzuar për ryshfete e lirim kriminelësh nga qelitë e burgjeve… /Nga Skender MINXHOZI/

Loading...