Gjykata për Krimet e Rënda ka lëshuar urdhër ndalimi ndërkombëtar për Arbër Çekajn, pronarin e kompanisë së bananeve “Arbri Garden”, në kontenierin e të cilës u zbuluan 613 kilogram kokainë.
Gjykata pranoi kështu kërkesën e Prokurorisë për Krimet e Rënda, e cila e akuzon Çekajn si të përfshirë në trafik ndërkombëtar të kokainës. 41-vjeçari dyshohet si porositësi kryesor i 613 kilogramëve kokainë të zbuluara më 28 Shkurt në Portin e Durrësit.
Përmes një lidhje telefonike të para disa ditëve, Çekaj deklaroi se do të kthehej në Shqipëri për tu vënë në dispozicion të autoriteteve Shqiptare, por kjo gje ende nuk ka ndodhur megjithese u bë afërsisht 2 javë nga kapja e sasisë së lëndës narkotike.
Deri tani të arrestuar për cështjen janë shoferi i Kamionit Armano Pezaku dhe menaxheri i magazinës Donaldo Lusha, të cilët nuk e kanë pranuar se kanë patur dijeni për drogën. Ata janë lene nga gjykata ne masën arrest me burg masë e cila është apeluar nga avokatët.
Ngarkesa prej 613 kg kokainë kolumbiane u sekuestrua mbrëmjen e 27 shkurtit në magazinat e Maminasit në Durrës. Kjo është sasia e kokainës më e madhja e kapur ndonjëherë në Shqipëri.
Droga e ardhur nga Kolumbia, ishte e fshehur në një kontenier me fund të dyfishtë që ishte mbushur me banane, dhe kishte destinacion tregun europian.