Teuta super premio për të eliminuar Shamrock Rovers, djemtë e Edi Martinit mund të fitojnë shumën prej…

Edhe pak orë e ndajnë Teutën e Edi Martinit nga përballja ndaj Shamrock Rovers. Një përballje që pa diskutim mund të cilësohet e vështirë, por edhe një ndeshje në të cilën krahas përkushtimit të skuadrës, ndoshta dhe me pak fat, mund të sigurohet një sukses.

Fakti që ndeshja e parë luhet në transfertë mund të konsiderohet edhe një faktor pozitiv për Teutën në rast se arrin një rezultat pozitiv ose qoftë edhe një barazim, por mund të ndodhë edhe e kundërta. Nga ajo që është praktikuar gjatë javës, Teuta mund ta nisë sfidën me rreshtimin 4-4-1-1.


Më Frashërin në portë dhe në mbrojtje Todorosvski, Dragarski, Arapi dhe Kotobelli. Vila, Daja, Karabeci, Jackson në mesfushë, ndërsa në sulm Seferi. Aleksi i pezulluar për shkak kartonësh, ndërsa Plaku vuan nga një dëmtim i lehtë. Gjithsesi, panorama do të jetë më e qartë pas seancën së fundit stërvitore.

Do të duhet, pa dyshim, një rezultat pozitiv për të mundësuar kualifikimin në ndeshjen e kthimit që do të luhet në “Elbasan Arena”, pasi “Niko Dovana” nuk përmbush më kriteret për ndeshjet e këtij niveli në Evropë. Për të motivuar edhe me shumë ekipin, drejtuesit e klubit, në rast kualifikimi, kanë premtuar premio në shumën e 150 mijë eurove.

Publiku shqiptar do të ketë mundësi ta ndjekë ekskluzivisht sfidën në ekranin e SuperSportit. Në Durrës, duan që kjo verë europiane të zgjasë sa më shumë, ndaj kërkojnë të luajnë të gjitha shanset e tyre në duelin e dyfishtë me irlandezët. Ne futbollin e ditëve të sotme asgjë nuk është më e pamundur.