Vllaznia “e re” nga mbrëmja e sotme ka nisur punë. Me teknikun kroat Plantak, tre basketbollistët amerikanë që kanë ardhur dhe të tjerë lojtarë që mund të vijnë, skuadra duket e tjetërsuar dhe kuptohet edhe me objektiva të tjera.
Kjo gjë është shprehur edhe në prononcimin e dhënë për mediat nga drejtori teknik i ekipit Altin Halili. Ndërkohë ajo që ka rënë në sy në këtë seancë ka qenë mungesa e dy shkodranëve, Ervin Berdicës dhe Herion Faslisë, për të cilët u tha se do visheshin kuqeblu por deri më sot ende nuk ka asnjë akord.
Nga ana tjetër, trajneri kroat ndonëse pritej të fliste për mediat, nuk ka preferuar ta bëjë një gjë të tillë në këto momente. Ka nisur menjëherë punën me ekipin sepse nuk ka kohë për të humbur.
Stërvitja ishte menduar të fillonte në orën 20.00 dhe në fakt takimi i trajnerit dhe drejtorit me ekipin ka nisur 10 minuta më herët.
Gjatë kësaj periudhe në ambjentet e pallatit të sportit kanë mbërritur edhe 2-3 lojtarë të cilët janë këshilluar menjëherë nga ana e trajnerit i cili u ka kujtuar se nesër nuk do të pranohen në stërvitje nëse e përsërisin një veprim të tillë.
Drejtues të rinj, rregulla të reja, megjithatë ajo që pritet është padyshim ndryshimi i situatës dhe dalja e Vllaznisë nga kriza aktuale ku ndodhet. /Burimi: ShkodraSport/